Ndërtuesit, tenderët, në duart e pak firmave
Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, një numër i vogël firmash kanë marrë punime jashtë kapaciteteve
"Nuk mund të pranojmë që lejet e ndërtimit të shndërrohen në letra bixhozi, siç ndodh sot"
Një numër i vogël firmash kanë marrë një volum të madh të punimeve publike, ndërsa kapacitetet e tyre nuk arrijnë që të respektojnë afatet kohore që janë përcaktuar në kontratat që ato kanë me qeverinë. Deklarata ka ardhur gjatë ditës së djeshme nga ana e përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve, në një takim që këta të fundit kanë pasur me kryeministrin Berisha dhe me stafin e tij, për të diskutuar mbi Ligjin e Urbanistikës. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës së Ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi, realizimi i punëve publike brenda afateve të caktuara kohore, për këtë vit, vazhdon që të mbetet i vështirë në një kohë që një pjesë e mirë e volumit të punimeve janë përqendruar në duart e pak firmave. "Rreth 20 firma që kryejnë aktivitetin në fushën e punëve publike, kanë marrë një volum punimesh, që është sa për 60-70 firma. Këto subjekte jo vetëm që duhet të punojnë me nënkontraktorë, por edhe çështja e kontratave duhet që të zgjidhet në mënyrë që të ketë një ndarje të arsyeshme të të ardhurave",- tha Bumçi. Përfaqësuesit e Shoqatës kërkuan gjithashtu që të ketë një kontroll më të mirë në zbatimin e afateve kohore nga ana e firmave. "Duhet që të ngrihen grupe kontrolli në Bashki dhe qarqe, edhe pranë Ministrisë së Transporteve, në mënyrë që të gjitha punimet të kontrollohen. Nëse edhe gjatë këtij viti 3-mujori i parë do të rezultojë me realizim minimal, atëherë rrezikojmë që të realizojmë fondin prej rreth 60 miliardë lekësh, që është programuar në buxhet për investime në këtë vit",- tha Bumçi. Nga ana e tij Berisha sqaroi se është dakord me zbatimin e afateve, por sipas tij, organi që duhet të jetë në krye të punëve është Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. "Ne kemi si institucion kryesor që merret me këtë çështje, Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, por ky institucion është i kalbur dhe aty nuk punohet",- tha Berisha. Gjatë ditëve të fundit, qeveria ka qenë shumë e ashpër përsa i përket afateve të punimeve që do realizohen nga firmat. "Për 10 kilometër rrugë në segmentin Lushnje-Fier, është një komunitet i tërë që po vuan papërgjegjshmërinë e një firme. Ne nuk mund të tolerojmë më që punimet të ecin me hapin e breshkës. Firmave që nuk do zbatojnë afatet e punimeve do t'u hiqet leja e ndërtimit dhe njëkohësisht nuk do të ketë më të drejtën që të marrë kontrata me qeverinë shqiptare. Ne vendosim këto kushte, pasi koha ka treguar se shkeljet në këtë pikë janë të mëdha nga ana e subjekteve private",- tha Berisha.
Rregullat e reja
Për të mënjanuar marrjen pjesë në tendera të firmave që nuk kanë kapacitete qeveria, në bashkëpunim me Shoqatën e Ndërtuesve, ka përcaktuar edhe një rregullore të re për firmat që do të marrin pjesë në tendera. Kjo rregullore megjithëse ka një sërë kriteresh teknike është vlerësuar sërish e pamjaftueshme, sipas ndërtuesve, për të garantuar ecurinë e punimeve. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtuesve edhe disbursimi i fondeve është një gangrenë për ndërtuesit, duke sjellë vonesa të mëdha në punime. Për shkeljen e afateve në punime Berisha ka kërkuar që të nxirret në një kohë të shkurtuar edhe një rregullore e re. "Nëse shkelet kontrata, leja do të marrë fund dhe ne kemi nevojë urgjente për këtë. Ajo që po ndodh sot me disa kompani ndërtimi është e papranueshme, pasi tregojmë një mungesë respekti të plotë për komunitetin, duke rendur pas kontratave të tjera. Ministria e linjës ka marrë urdhër që të rishqyrtojë çdo kontratë dhe ta heqë atë nëse kompania nuk i përgjigjet, pikë për pikë, të gjitha stadeve të përmbushjes së saj",- deklaroi Berisha. Duke kërkuar përcaktimin e sanksioneve më drastike për shkeljen e kontratave, Berisha tha se: "Shqipëria është një vend kohë-humbur, ndaj është në interesin më të mirë të secilit prej nesh ta pohojmë këtë fakt". "Ne jemi kohë-humbësit më të mëdhenj të Europës, një komb i vogël me kohën më të madhe të humbur dhe kjo do të thotë që ne duhet të rendim për të kapur kohën. Nuk mund të pranojmë që lejet e ndërtimit të shndërrohen në letra bixhozi, siç ndodh sot, pasi nuk mund të pranoj që interesi publik të diktohet nga financat familjare të gjithsecilit",- deklaroi Berisha.