E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, policia shmang vrasjen e një personi

 
Dy vrasësit me motor janë larguar nëpër rrugica duke braktisur më pas armën e krimit, një automatik model 56
VLORË- Policia e Vlorës ka mundur që të shmangë në orët e vona të së enjtes një vrasje që do të kryhej në lagjen "29 Nëntori". Por policia nuk ka mundur që të arrestojë dy "vrasësit" pasi ata janë larguar në errësirë. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, në rrugë operative është mësuar se dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë do të kryenin një vrasje. Policia është vënë në ndjekje të tyre dhe në orët e vona të së enjtes i ka lokalizuar teksa po lëviznin me motor në rrugët e lagjes "29 Nëntori" të qytetit të Vlorës. Një patrullë e policisë është vënë në ndjekje të motorit por dy personat kanë shtuar shpejtësinë duke hyrë në disa rrugica të ngushta ku makinat e policisë e kanë pasur të vështirë manovrimin. Pak minuta më pas policia ka arritur që të gjejë motorin e braktisur në një prej rrugicave të lagjes "29 Nëntori". Uniformat blu kanë nisur kërkimet për të gjetur dy personat që ndodheshin në motor por ata ishin larguar në errësirë. Ndërkohë policia lokale ka arritur që të gjejë rreth 50 metra larg vendit ku ishte braktisur motori një çantë të zezë që mendohet se është hedhur nga personat që ndodheshin në motor. Kur kanë hapur çantën, policët kanë gjetur një automatik, model 56 me një krehër me fishekë. Sipas policisë lokale, kjo armë do të përdorej për të kryer vrasjen e një shtetasi, emri i të cilit nuk është bërë publik. Hetuesit kanë arritur që të zbulojnë të dhëna në lidhje me pronarin e motorit si dhe kanë gjetur në motor dhe në automatik gjurmët e gishtërinjve të dy personave që mendohet se do të kryenin vrasjen. Por policia ka deklaruar se emrat e tyre do të mbahen të fshehtë deri sa të kryhet arrestimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›