E Diel, 1 Nëntor 2026

Shëndëllia në "revoltë", përzë policinë nga fshati

 
Pas rrahjes së një personi policia ka tentuar të hyjë në fshat por është pritur me gurë. Plagosen 2 policë
Para barrikadës, në hyrje të fshatit, qëndronin të palëvizur fëmijë e gra. Tërhiqet policia
SARANDË- Policia e Sarandës përplaset me banorët e fshatit Shëndëlli, situata e tensionuar në fshat. Burimet zyrtare të policisë së Sarandës pohuan dje se disa banorë të fshatit Shëndëlli kanë rrahur deri në humbje ndjenjash shtetasin Tefik Qorrin. Ngjarja ka ndodhur tek kthesa e Xarrës dhe Qorri 43- vjeçar është goditur me mjete të forta duke përfunduar në spitalin e Sarandës. Djemtë e tij, Lefteri 25 vjeç dhe Eltoni 27 vjeç, pasi kanë marrë vesh se babai i tyre është shtrirë përtokë dhe pa ndjenja, kanë reaguar për të marrë hak. Pasditen e djeshme dy djemtë e të dëmtuarit kanë shkuar dhe kanë qëlluar me mjete të forta në trup shtetasin Florian Doda, lindur në Mirditë dhe banues në Shëndëlli. Gjatë këtij konflikti kanë ndërhyrë në sherr persona të tjerë të paidentifikuar, duke përshirë në të shumicën e fshatit. Në këto kushte, në fshatin Shëndëlli, kanë shkuar forcat e policisë të shoqëruara nga grupi i gatshëm, për të vënë nën kontroll situatën. Por ata kanë ndeshur në rezistencën e një grupi familjarësh, të përbërë kryesisht prej grash dhe fëmijësh, të cilat janë kthyer kundër ndërhyrjes së policisë dhe kanë qëlluar me gurë makinat e që transportonin policët. Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se janë dëmtuar xhamat e makinave të policisë dhe janë lënduar lehtë në trup dy punonjës policie të rolit bazë. Të ndodhur para një situate të tillë, forcat policore janë tërhequr të urdhëruara që të mos kryenin asnjë veprim që nxiste konfrontimin. Forcat policore të ardhura në ndihmë nga Saranda janë bllokuar në hyrje të fshatit, nga barrikada e ndërtuar me sende të ndryshme, gurë dhe mjete rrethanore. Sipas burimeve policore, para barrikadës qëndronin të palëvizur fëmijë dhe gra. Edhe përforcimet e kërkuara nuk mundën të hynin në fshat për shkak të situatës së nxehtë, e cila mund të shërbente për nxitjen e konfliktit. Drejtoria e Policisë Vlorë, pas informacionit të marrë në rrugë operative, ka urdhëruar të ngrihet grupi hetimor dhe të ndalohen personat përgjegjës, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje, plagosjes se lehtë , kundërshtim i punonjësve të policisë, goditje për shkak të detyrës si dhe dëmtim të pasurisë shtetërore. Për shkak të situatës konfrontuese të krijuar nuk pati asnjë të ndaluar në pritje të qetësimit të gjakrave. Por krerët e policisë së Sarandës pohuan se kjo ngjarje nuk do të mbarojë me kaq dhe se përgjegjësit për sulmin do të vihen përpara drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›