Aleanca “Kuq e Zi” mbledhë asamblenë kombëtare
Aleanca “Kuq e Zi” ka mbledhur sot asamblenë kombëtare. AK-ja ka paralajmëruar se Kuvendi mbarëkombëtar i lëvizjes do të mbahet në maj të vitit 2012 ndërkohë që deri në 28 nëntor 2012, kjo aleancë do të numërojë mbi 1 milionë anëtarë.
Në fjalën e tij përfaqësuesi i AK-së theksoi se lëvizja do të përfshihet në sensibilizimin e opinionit për ndryshimet kushtetuese, limitimin e mandateve të drejtuesve, realizimi i votimit të identifikuar dhe elektronik të votave si garanci e lartë, numërimi i popullsisë në trevat entike dhe emigracion, votimi i mërgatës që kërkon nismë ligjore, rikthimin e vëmendjes në mbrojtjen e interesave shqiptare, ndryshimin e modelit të sistemit të drejtësisë duke i njohur të drejtën publikut në zgjedhjen e gjyqtarëve, unifikimin e abetareve dhe financimin e tyre kudo që rrezikohet asimilimi i shqiptarëve.
“Mjetet me të cilat ne luftojmë janë të kufizuara, por do të rriten se do të keni nisma ligjore. Shpirti i kësaj doktrine nuk u hyn në pjesë partive politike, disa prej të cilëve e sulmuan dhe e përbuzën, por ajo përcolli mesazhe dashurie, kundër ndasive. AK nuk përdori të njëjtat fjalë e mesazhe urrejtje, por ndoqi urtësinë e tolerancën”- tha ai.
Ai gjithashtu i ka cilësuar si fitore të kësaj lëvizjeje, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kombësinë si dhe marrëveshjen detare me Greqinë që sipas tij kjo lëvizje e kundërshtoi fort duke bërë të mundur moszbatimin e saj.