Aleanca “Kuq e Zi” në Fier: Bojkotoni regjistrimin
FIER Aleanca Kuq e Zi u ka kërkuar qytetarëve të Fierit që të bojkotojnë formularin mbi baza etnike dhe fetare. Para dhjetëra të pranishmëve, që mbanin në duar flamuj dhe pankarta kundër këtij regjistrimi, përfaqësues të kësaj lëvizjeje, intelektualë të njohur, u kërkuan qytetarëve që të ndërgjegjësohen e të mos bëhen pjesë e kësaj loje, që ata e cilësuan antishqiptare. “... Menjëherë pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një përfaqësues i qeverisë shqiptare nxitoi e tha se ky vendim nuk prek censusin. Si mund të pranohet ky regjistrim, kur Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin mbi kombësinë, e fituar me vendim gjykate, e të njihet një regjistrim me duar në xhepa, duke u marrë ky i mirëqenë?”, - tha dje historiani Pëllumb Xhufi. Ai theksoi se ky proces është një tradhti kombëtare, ndaj dhe nuk duhet pranuar. Po dje gjatë tubimit është mirëpritur edhe fjala e kolonel Myslym Pashës. Sipas tij, aleanca Kuq e Zi nuk është strehë e nacionalizmit, përkundrazi është strehë e shqiptarizmit. Ndërsa nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka kërkuar që shqiptarët të vënë mbi gjithçka flamurin, sepse Shqipëria, sipas tij, nuk do të shkojë në Bruksel me flamuj të ngjyrave të tjera.
F.S