E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, në tetor ekspertët e Venecias, në dhjetor vendimi

Misioni i tyre është i qartë; ata do të takohen me liderë të dy partive të mëdha, por edhe partive të tjera parlamentare dhe jo vetëm, për të diskutuar nga afër mbi çështjet ku do të bazohet puna e ardhshme për reformën zgjedhore.

TIRANË Ndërsa ekspertët e dy partive të mëdha kanë filluar të diskutojnë për modalitetet, që do të ndjekin lidhur me reformën zgjedhore, në fillim të muajit tetor, në Tiranë, pritet të mbërrijnë ekspertë të Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias. Misioni i tyre është i qartë; ata do të takohen me liderë të dy partive të mëdha, por edhe partive të tjera parlamentare dhe jo vetëm, për të diskutuar nga afër mbi çështjet ku do të bazohet puna e ardhshme për reformën zgjedhore. Burime nga dy partitë e mëdha deklaruan dje për gazetën “Mapo” se pas këtij misioni, qëndrimi përfundimtar i Komisionit të Venecias lidhur me përmirësimet e mundshme, që do t’i bëhen legjislacionit të zgjedhjeve, do të bëhet publike në fillim të muajit dhjetor. Pak kohë më parë, Këshilli i Europës, i kërkoi mendim Komisionit të Venecias lidhur me hapat që klasa politike shqiptare duhet të ndërmarrë, për legjislacionin e zgjedhjeve. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorborn Jagland, iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias. Në një letër dërguar presidentit të këtij Komisioni, Giani Buquiçhio, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së shkruante: “...Unë e kam ndjekur situatën shumë nga afër dhe adresova çështjet tek autoritetet shqiptare dhe konsideroj, që Këshilli i Europës duhet të bëjë gjithcka është e mundur, që në Shqipëri të mos përsëriten ngjarje të tilla në të ardhmen. Unë do t’ju isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të mund të hartojë një opinion, me përmirësimet që duhet t’i bëhen legjislacionit të zgjedhjeve dhe të aplikohen në Shqipëri, duke marrë në konsideratë edhe eksperiencën në zgjedhjet e fundit”. Por kjo nuk ka qenë korrespondenca e fundit e Këshillit të Europës. Vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës iu drejtua me një letër edhe kryeministrit të vendit, Sali Berisha, të cilin e njoftonte se do të kërkonte opinion tek Komisioni i Venecias për të shmangur problemet në zgjedhjet e ardhshme. Deri më tani, ndërkombëtarët e kanë vënë theksin tek zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it jo vetëm për zgjedhjet lokale, por edhe ato të përgjithshme të vitit 2009. Në paketën e rekomandimeve që OSBE/ODIHR publikoi së fundmi kërkohej nga partitë politike, që të vendosnin si prioritet demonstrimin e vullnetit politik për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në përputhje me standardet zgjedhore. OSBE/ODIHR ka parë si obsion të mundshëm edhe rikonsiderimin e formulës së kompozimit të KQZ-së duke rritur besimin tek pavarësia dhe paanshmëria e zbatimit të Kodit Zgjedhor. OSBE/ODIHR sugjeron gjithashtu amendim të Kodit Zgjedhor për të sqaruar çështjen e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar apo kur numri i fletëve të votimit dhe votuesve është i ndryshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›