E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja rrëzon ligjin e pronave për AKKP

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë si në kundërshtim me Kushtetutën ndryshimet e bëra në ligjin për pronat, me propozim të deputetit demokrat Alibeaj. Ndryshimet, që më parë ishin konsideruar antiligjore edhe nga Presidenti, i jepnin AKKP-së të drejtën të rishihte vendimet e mëparshme.

TIRANË Çështja e kthimit të pronave tek ish-pronarët futet sërish në një rrugë pa krye. Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi” dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke rrëzuar për të disatën herë ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Bëhet fjalë për një pjesë të ndryshimeve të bëra një vit më parë, me nismë të ish-ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Megjithëse vendimi nuk është zbardhur ende, mësohet se kushtetuesja ka hedhur poshtë, si në kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit, nenet që i jepnin Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave atributet e një organi gjyqësor, i cili mund të rishihte vendimet e komisioneve të mëparshme rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Vendimi

Pas më shumë se 6 muaj shqyrtim, Gjykata Kushtetuese ka mundur të marrë më së fundi vendim për ndryshimet e bëra nga Kuvendi, me propozim të deputetit Enkelejd Alibeaj në ligjin e shumë debatuar “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Ndërsa vendimi mbetet ende i pashpallur në mënyrë zyrtare, gjykata ka vlerësuar se amendimet e bëra në ligjin në fjalë, gati një vit më parë nga mazhoranca, bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe konventën e të drejtave të njeriut. Burime pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur se shkak për rrëzimin e këtyre ndryshimeve janë bërë një sërë problematikash, që sillnin këto ndryshime, të konstatuara nga kjo gjykatë edhe në ndryshimet e mëparshme të rrëzuara po në vitin 2010. Kështu, mësohet se trupa gjykuese është pajtuar me pretendimet e ngritura nga ankimuesit, pra shoqata e ish-pronarëve dhe Komiteti i Helsinkit, duke konstatuar se nenet 1 dhe 2 të ligjit të miratuar, të cilat bëjnë ndryshime në nenet 15 dhe 16 të ligjit bazë, vijnë në kundërshtim me Kushtetutën në parimet që ajo shpreh për ndarjen e pushteteve si dhe në sigurinë e juridike. Sipas të njëjtave burime, bëhet e ditur se Gjykata ka vërejtur se tentativa për t’i dhënë fuqi “quasi” gjyqësore Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) për të riparë dhe rivlerësuar vendimet e dhëna më parë nga komisionet rajonale të kthimit të pronës, bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve. Mësohet se gjykata ka vlerësuar se AKKP-ja është një institucion që është në varësi të një institucioni ekzekutiv dhe për rrjedhojë nuk mund të marrë kompetencat e një organi gjyqësor për të bërë vlerësimet e titujve të pronësisë të shpallura më parë nga një organ tjetër i ngjashëm me të. Sipas argumenteve mbi të cilin mësohet se ka mbështetur këtë vendim gjykata, mësohet se ajo ka vlerësuar se të drejtën për të vlerësuar një vendimmarrje të institucioneve administrative e kanë gjykatat dhe jo një institucion tjetër administrativ siç është AKKP-ja.

Siguria

Një tjetër pikë e fortë në argumentet, që shtron Gjykata Kushtetuese në këtë vendim të pazbardhur, është edhe ai i parimit kushtetues të sigurisë juridike. Gjykata ka arritur në përfundimin se rishikimi i vendimeve të komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave që kanë vepruar në vite sjell cenimin e këtij parimi, pasi nuk i jep garanci që shtetasi që të gëzojë dhe shfrytëzojë pronën e vet, të marrë në bazë të këtyre vendimeve. Shkelje këto që në vija të përgjithshme janë konstatuar edhe nga Presidenti i Republikës në momentin kur vendosi të mos e dekretojë ligjin në fjalë për ta rikthyer për rivotim në Kuvend. Kujtojmë se mazhoranca e djathtë atëherë nuk e mori parasysh këtë qëndrim të kreut të shtetit, duke e rivotuar ligjin siç ishte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›