E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i pronës, 9 mijë vendime me probleme

Kthimi dhe kompensimi i pronave tek ish-pronarët përbënë një tjetër premtim të pa mbajtur të qeverisë së djathtë. Kur kanë mbetur dhe 3 muaj nga skadimi i afateve që përmban ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” për shqyrtimin e të gjitha çështjeve të depozituara, sërish mbetet një numër i konsiderueshëm pa dhënë një përgjigje. Përveç tyre një problem për këtë proces mbeten ato çështje për të cilat ose kanë probleme me dokumentacionin ose gjatë viteve kanë dalë fakte të reja që rrëzojnë vendimet e komisioneve të mëparshme të kthimit dhe kompensimit të pronave. Pikërisht trajtimin e këtyre çështjeve synonin dhe ndryshimet e bëra vjet nga Kuvendi me propozim të ish-ministrit Enkelejd Alibeaj. Sipas të dhënave zyrtare të AKKP-së, nga rreth 55 mijë vendime që janë dhënë në vite nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, rreth 15 për qind e tyre rezultojnë me probleme dhe për rrjedhojë çështja ka mbetur e pazgjidhur. Përqindje kjo që e përkthyer me shifra konkrete vendimesh që kanë probleme shkon diku te 9 mijë të tilla. Bëhet fjalë vetëm për ato vendime të cilat kanë probleme të mëdha me të drejtën e pronësisë, pasi shifra e çështjeve që kanë edhe probleme të tjera dokumentacioni shkon diku te 30 mijë. Pikërisht për të zgjidhur këto probleme mazhoranca mandatoi deputetin Enkelejd Alibeaj që të përgatiste një sërë amendimesh në ligjin bazë për t’i dhënë kompetenca AKKP-së që të mund të rishihte rastet në fjalë. Në bazë të ndryshimeve të bëra një vit më parë, kjo agjenci që varet direkt nga Ministria e Drejtësisë nuk mund të marrë në shqyrtim vetëm vendimet e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që ka vepruar në qendër, duke respektuar në këtë mënyrë argumentin që Kushtetuesja ka bërë për këtë institucion, të cilin e ka konsideruar thuajse gjyqësor. Por ndërsa lë jashtë kompetencave të shqyrtimit vendimet e KKKP-së në qendër, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mund të vendosë për fatin e të gjitha vendimeve që kanë dhënë komisionet e atëhershme të pronave që kanë vepruar në rrethe, apo edhe ato të bashkive dhe komunave. Ndryshe nga sa përcaktonte dispozita e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, AKKP tashmë me anë të këtij ligji nuk mund të merrte në shqyrtim vendimet me nismën e saj. Për t’u vënë në lëvizje, ndryshimet parashikonin që AKKP duhet të kishte më parë një kërkesë nga subjektet e interesuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›