Aleanca KuqeZi, kërkon bashkimin e ligave

Sërish është hapur tema rreth bashkimit të futbollit të Shqipërisë me atë të Kosovës, për të cilën ishte diskutuar shumë edhe më herët sikur në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë.
Një gjë të tillë së fundmi e ka bërë edhe Aleanca KuqeZi (AK). Në fakt, duke e parë izolimin në të cilin gjendet futbolli kosovar tash e disa vite rresht, kjo Aleancë qytetare të mërkurën e ka prezantuar nismën e re të saj, ‘Një komb, Një kampionat’. Në këtë mënyrë, AK beson se futbolli i kosovar do të dilte në dritë nga tuneli i errët.
AK ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që ta mbështesin nismën e saj. Madje, AK u ka bërë thirrje krerëve të FSHF-së dhe atyre të FFK-së që bashkërisht t’i nisin negociatat me UEFA-n e FIFA-n për bashkimin e futbollit shqiptar.
“Prej më shumë se 13 vitesh klubet sportive shqiptare në Kosovë nuk përfshihen dhe ftohen në aktivitete ndërkombëtare. Nisur nga kjo situatë ne e ndiejmë obligim moral të ndërmarrim një nismë zyrtare drejtuar institucioneve përkatëse për këtë shqetësim”, thuhet në uebfaqen zyrtare të AK-së.
Në kuadër të kësaj nisme, AK u ka propozuar FSHF-së e FFK-së që bashkërisht ta mbajnë një kuvend për realizimin e një agjende të përbashkët.
“Marrëveshja dhe strategjia të kenë si synim realizimin brenda 100 vjetorit të pavarësisë të objektivit ‘Një komb, Një kampionat’, duke përfshirë në një konkurrim të përbashkët përfaqësitë e futbollit të të gjithë qyteteve në Shqipëri dhe Kosovë”, theksohet në kumtesën e AK-së, e cila u ka propozuar FSHF-së e FFK-së që t’i nisin negociatat me UEFA-n e FIFA-n rreth bashkimit të ligave të të dyja vendeve.
“Propozojmë hapjen e negociatave me të gjitha institucionet ndërkombëtare si UEFA-n, ashtu edhe FIFA-n për zyrtarizimin e këtij objektivi me qëllim “njohjen dhe standardizimin e të gjitha kategorive sportive në Shqipëri dhe Kosove si një trup i vetëm””, potencohet pos tjerash në kumtesë.
AK ka shprehur gatishmërinë e saj që me ekspertët e vetë të kësaj fushe ta ndihmoj FSHF-në e FFK-në drejt bashkimit të futbollit shqiptar.
“Aleanca KuqeZi shpreh dëshirën dhe vullnetin për të kontribuar me ekspertë dhe specialistë të kësaj fushë në këtë nismë tepër të rëndësishme për sportistët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët në rast zbatimi dhe plotësimi të saj do të mund të realizojnë ëndrrën shekullore të miliona shqiptarëve”, thuhet në fund të komunikatës.
Duhet theksuar se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, kjo temë është diskutuar disa herë në të dyja vendet.
Një diskutim më i madh u bë disa muaj më parë, por vetë krerët e FSHF-së dhe ata të FFK-së e patën hedh poshtë mundësin e realizimit të bashkimit të futbollit shqiptar, pasi një gjë e tillë bie ndesh edhe me rregulloret e FIFA-s e UEFA-s.