Aleanca KuqeZi prezanton PROGRAMIN ekonomik. Spahiu: Kemi një strategji për Beneluksin shqiptar
Aleanca KuqeZi prezantoi sot programin e saj për ekonominë. Programi është përgatitur nga Bordi i Inteligjencës dhe Departamenti i Ekonomisë, i drejtuar nga profesor Dashamir Uruçi. Dhjetëra specialistë të ekonomisë apo financave kanë përgatitur strategjinë e zhvillimit ekonomik.
Aleanca KuqeZi ka një vizion të qartë në zbatimin e politikave të reja fiskale që do të mbështesin fuqishëm biznesin dhe prodhimin vendas si dhe një program të ashpër në luftën kundër monopoleve në sektorët më strategjik të ekonomisë, deklaroi Sekretari për Ekonominë, Uruçi.
Kurse kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, theksoi se: shqiptarët janë populli më i varfër në Europë. Ata janë më të varfrit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe trojet e tjera etnike. Aleanca KuqeZi do realizojë vendime të rëndësishme për të nxjerrë shqiptarët nga mjerimi. Shqiptarët duhet të ndërtojnë urgjent një vizion të ri për zhvillimin ekonomik mbi pasuritë kombëtare. Shqiptarët jetojnë në tokën dhe nëntokën më të pasur në rajon por janë populli i mbytur në mjerim dhe varfëri.
Spahiu tha se është nevojë urgjente unifikimi i programeve ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës.
I bëjmë thirrje shtetasit Sali Berisha dhe kryeministrit Hashim Thaçi që 28 nëntori të jetë afati i fundit që shqiptarët mbajnë pika doganore dhe pika kufitare kontrolli. Shqipëria duhet të jetë e para dhe më pas Kosova, që të heqin urgjentisht brenda 2 muajsh barrierat doganore dhe ato kufitare pasi Aleanca KuqeZi ka përgatitur strategjinë e modelit të Beneluksit shqiptar. Aleanca KuqeZi kërkon që hapësira shqiptare të mos ketë të njëjtat mure dhe barriera siç ka Shqipëria me Greqinë apo me Italinë, tha Spahiu.
Më pas Departamenti i Ekonomisë së Aleancës KuqeZi prezantoi një program dhe strategji të detajuar dhe një analizë shumë të hollësishme për forcimin e masave dhe investimeve në sektorin e bujqësisë, rritjes së prodhimit të ushqimeve bio, heqjen e akcizës së naftës dhe uljes së çmimit për fermerët dhe peshkatarët, orientimin dhe zgjerimin e sektorit të peshkimit përgjatë gjithë bregdetit shqiptar, prishja e kontratave të koncesioneve për minierat, hidrocentralet dhe pasuritë e tjera tokësore dhe nëntokësore kur kontraktuesit nuk kanë përmbushur detyrimet fiskale ose nuk kanë kryer investime, përgatitja e menjëhershme e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe një sistemi të ri asistence sociale.
Disa pika të programit të AK
- Heqja e pikave kufitare dhe unifikimi i sistemit doganor me Kosovën duhet shoqëruar me planet e zhvillimit të prodhimit vendas në funksion të nevojave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas.
-Aleanca KuqeZi do të përgatisë futjen e shqiptarëve në një monedhë të përbashkët që në pamundësi të futjes në lek për shkak të rrënimit drastik nga regjimi Berisha duhet përgatitur përfshirja në eurozonë ashtu si tashmë janë shqiptarët e Kosovës dhe Malit të Zi.
-Borxhi i Shqipërisë, që mbahet i fshehur nga shtetasi Sali Berisha dhe ushtari i tij Ridvan Bode është në caqet e kapjes së pikës së mos kthimit duke cenuar dhe ekspozuar ndaj rrezikut sovranitetin dhe integritetin te territorial të Shqipërisë sonë. Ne premtojmë që qeverisja kuqezi prioritet do të ketë pikërisht uljen e borxhit dhe likuidimin e borxheve ndaj kompanive ku shteti është debitor.
- Unifikimi i menjëhershëm i prefiksit Kosovë-Shqipëri 355 nuk duhet penguar nga administrata e korruptuar ndërkombëtare në Prishtinë për të pasuruar buxhetin e shteteve të tjera.
- Ngritja e një banke të re nacionale për të mbështetur dhe mbledhur mbarë kapitalin shqiptar dhe përmirësimi i sistemit bankar dhe atij të kredive.
- Administrimi publik i pasurive kombëtare dhe mos lejimi i privatizimit të tyre. Shtetasi Sali Berisha ende vazhdon të shesë çtë mundë dhe duhet frenuar me çdo mjet, sepse pronar i pasurive kombëtare është shteti shqiptar dhe JO qeveria shqiptare.