Shpallet kompania fituese që do nxjerrë naftë në Jon
Në një kohë kur Greqia dhe Shqipëria prej disa kohësh janë përfshirë nga debati për çështjen e kufirit detar, pala greke ka vijuar me planet e saj duke i hapur rruge zyrtarisht kërkimeve për naftë dhe gaz natyror në ujërat e detit Jon dhe Kretë, raporton Vizion Plus. Më datë 6 shtator, Ministria greke e Energjetikës, shpalli zyrtarisht edhe kompaninë fituese. Nga 8 kompani që garonin u përzgjodh ajo norvegjeze Petroleum GeoServices, e cila do të nisë menjëherë kërkimet në 2 zonat e përcaktuara deri në korrik të 2013. Ndërkaq sipas njoftimit të ministrisë së Energjetikës, në 2014 do të ketë një tjetër tender për eksplorimet e reja në këtë fushë.
Sipas hartës së krijuar nga vetë qeveria greke, në zonat ku do të kryhen kërkimet përfshihet edhe ishulli i Korfuzit. Por kjo pikë pritet të rindezë edhe një herë debatin mes dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo pjesë e detit iu dha Greqisë në 2009, pas një marrëveshjeje të arritur mes 2 shteteve, e cila me pas hasi kundërshti te mëdha.
Ishte Gjykata Kushtetuese ajo që më pas hodhi poshtë marrëveshjen në fjalë duke e cilësuar atë si antikushtetuese. Vete Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti deklaroi disa ditë më parë se në lidhje me paktin detar me Greqinë nuk ka asnjë negociatë dhe se çdo vendim në lidhje me këtë çështje do të merret në respekt të Gjykatës Kushtetuese.
