E Diel, 1 Nëntor 2026

FEB: Korrupsioni në Shqipëri, pengesë për zhvillimin e bizneseve

Raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror vëren se numri i sipërmarrësve që e rendisin korrupsionin, si faktorin më problematik të të bërit biznes në Shqipëri, është dyfishuar në vitin 2012. Janë 22.2 për qind e bizneseve shqiptare që pohojnë se korrupsioni është pengesa më e madhe në aktivitetin e tyre. Vitin e kaluar kjo shifër ishte 10.9 për qind, thuhet në raport.

Pengesat e biznesit
Në total, korrupsioni mbetet pengesa e dytë më e madhe për biznesin, kjo pasi në vend të parë prej tre vitesh renditet vështirësia për financime, pasojë kjo direkte e krizës ekonomike. Nga 144 vende të marra në shqyrtim, Shqipëria renditet e 136 për nga lehtësia e aksesit në kredi.
Renditja
Paralelisht edhe kostoja e shërbimeve financiare, si interesat apo dhe komisionet, sipas Forumit Ekonomik Botrëror (Forumi i Davosit) mbeten ndër më të lartat në botë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 125. Indeksi i konkurrueshmërisë globale analizon një numër të madh treguesish që nga institucionet, mirëqeverisja, infrastruktura, inovacioni dhe mirëfunksionimi i tregjeve. Këtë vit Davos e rendit Shqipërinë në vendin e 89 nga 144 ekonomi botërore me një përkeqësim prej 11 vendesh nga viti i kaluar.
Treguesit
Në listën e treguesve që botojnë institucionet apo organizatat e ndryshme botërore mbi ekonominë, indeksi i konkurrueshmërisë është një nga më të plotët. Revista prestigjoze The Economist ballafaqon këtë tregues me të ardhurat për frymë sipas vendeve. Rezultati nuk është surprizë, konkurrueshmëria e lartë sjell mirëqënie për qytetarët, ku Shqipëria vazhdon të mbetet në pjesën e fundit për të dy treguesit. Nga renditja e vendeve të Ballkanit, Shqipëria paraqitet më mirë se Serbia e Greqia e përfshirë nga kriza, por Bosnja e Moldavia paraqiten me indeks më të mirë të konkurrueshmërisë së ekonomisë së tyre. Vendi ynë shënon rezultate shumë të ulta në inovacionin e biznesit dhe zhvillimin e tregut financiar. Vendin e parë për këtë vit sa i përket konkurrueshmërisë globale e mban sërish Zvicra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›