Shqipëri-Kosovë, marrëveshje mes administratave tatimore
Shkëmbim i eksperiencës, rritje e bashkëpunimit apo ndërgjegjësimit në luftën kundër evazionit dhe korrupsionit duket se janë pikat ku bazohet marrëveshja e bashkëpunimit mes administratës tatimore shqiptare dhe asaj të Kosovës. E nënshkruar ditën e djeshme në Prizren nga drejtori i DPT-së, Gazmir Spahija dhe ai i Tatimeve të Kosovës, Behxhet Haliti, marrëveshja i bashkohet një sërë nismave të ngjashme në kohën që marrëdhëniet mes dy administratave datojnë që nga 2003-shi. Marrëveshja e nënshkruar shpreh vullnetin e përbashkët të dy administratave për të rritur nivelin e bashkëpunimit. Kontributi i përbashkët dhe i secilës prej dy administratave do të çojë në rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të tyre në luftë kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, për forcimin e shtetit ligjor, për parandalimin dhe shmangien e praktikave korruptive dhe abuzive, në zbatim të legjislacioneve përkatëse, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.