E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleanca KuqeZi proteston para Ministrisë së Financave për lotarinë kombëtare: Kjo qeveri në ikje po shet gjithçka mundet

Share

Aktivistë të Aleancës KuqeZi protestuan sot përpara Ministrisë së Financave në lidhje me skandalin e lotarisë kombëtare. Të rinjtë thanë se janë aty për të mbrojtur interesat e shqiptarëve.

Sipas AK, qeveria në ikje po shet gjithçka.

Lotaria kombëtare është një aset i të gjithë shqiptarëve dhe duhet administruar nga shteti i shqiptarëve. Fati i keq i Shqipërisë dhe shqiptarëve që nuk kanë një shtet që mendon për xhepat e tyre, por një pushtet që mendon vetëm si e si të grabisë çdo qindarkë që mund të shkojë në favor të shportave të familjeve shqiptare. Aleanca KuqeZi nuk është këtu për të kundërshtuar apo mbrojtur asnjë tezë politikë dhe konfliktuale midis PD-së dhe PS-së, por për të kundërshtuar shitjen masive të kapitalit shtetëror që qeveria e Sali Berishës po kryen. I ndodhur në ditët e fundit të regjimit të ndryshkur dhe kalbur Sali Berisha ka hapur thesin e pasurive kombëtare dhe po i shet këto pasuri në mënyre klienteliste përmes ministrave bixhozhxhinj jo vetëm sepse luajnë kazino, por sepse mentaliteti i tyre politik lidhet ngushtë me bixhozin qeveritar. Aleanca KuqeZi dënon këtë akt tradhtar të ministrit të financave Ridvan Bode, i cili është njëri prej ushtarëve më të bindur të Sali Berishës në strategjinë e rrënimit ekonomik të shqiptarëve, thanë aktivistët e AK.

Ata u bënë thirrje qytetarëve që të votojnë për Aleancën KuqeZi, e cila do mbrojë pasuritë kombëtare.

Aleanca KuqeZi zotohet përpara shqiptarëve se do të administrojë me fanatizëm pasuritë dhe asetet kombëtarë duke i kthyer ato në shërbim të mirëqenies se shqiptarëve, një politikë që Aleanca KuqeZi do ta zbatojë me të ardhur në pushtet përmes votës së shqiptarëve.

Sali Berisha dhe ministrat e tij jo vetëm luajnë bixhoz në kazinotë e Malit të Zi duke shpenzuar deri ne 40 mijë euro në natë, por ata janë bixhozxhinj në vizionin politik, strategjitë ekonomike të buxhetit të shtetit dhe mbi të gjitha e kanë kthyer tryezën e ekzekutivit në një tavolinë pokeri ku lufta për të fituar para mbi kurrizin e shqiptarëve po i çjerr maskën e mashtrimeve elektorale.

Për Aleancën KuqeZi shitja e lotarisë kombëtare tek sektori privat, qoftë ky opozitar, qeveritar apo dhe i huaj është tradhti në kurriz të shqiptarëve që po vuajnë krizën ekonomikë që qeveria përpiqet ta mbulojë ditë pas dite.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›