Aleanca KuqeZi zbulon gurin e mashtrimit të Berishës me xhaminë e Tiranës

Aleanca KuqeZi u ka ilustruar myslimanëve shqiptar hipokrizinë e Sali Berishës me besimin e tyre. Së bashku me një grup veprimtarësh të Aleancës KuqeZi, kreu i AK, Kreshnik Spahiu, shkoi në lulishten pranë parlamentit dhe zbuloi gurin e themelit që Berisha kishte vendosur qysh në vitin 1993 tek lulishtja e parlamentit, së bashku me ish kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Sali Kelmendi. Spahiu tha se ky njeri ka gënjyer myslimanët për 19 vite, dhe ky gurë themeli është sot epitafi i gënjeshtarit Sali Berisha.
“Në këtë ditë, kur të gjithë shpresojnë të përfshihen në mëshirën e zotit, ne me keqardhje zbulojmë “epitafin e gënjeshtarit” i cili për 19 vite abuzoj dhe mashtroj besimtarët mysliman duke i lënë ata të falen rrugëve. 19 vite më parë ish presidenti Berisha dhe ish kreu i bashkisë Tiranë Sali Kelmendi hodhën tullën e themeleve të xhamisë e cila kurrë nuk u ndërtua duke diskriminuar besimtarët që praktikojnë fenë islame“, tha Spahiu.
Kreu i Aleancës KuqeZi u drejtua nga pllakata e vendosur 19 vite më parë duke theksuar se: “Kjo pllakatë është nga ato raste të veçanta kur një gur tregon më shumë se çdo gjë epitafin e një gënjeshtari. Koha për gjykim dhe ndëshkim po afron ndaj çdo mëkatari që abuzoi me besimin e të tjerëve, besimin ndaj Zotit, dhe shpërdoroi besimin e popullit. nuk është çudi që në prag të zgjedhjeve pas 19 vjetësh ai të fillojë të hedh edhe një tullë tjetër por ai nuk mund të mashtrojë sërish qindra mijëra besimtarë. O Zot mëshiroji besimtarët e pafajshëm por jo ata që penguan të drejtën e besimit. Në këtë muaj të madhërueshëm ka njerëz që besojnë te Zoti, kombi dhe atdheu. Të shpresojmë që Zoti do të pranojë lutjet dhe sakrificat e përbashkëta“.
Aksioni i Aleancës Kuqezi, vjen në ditën e Bajramit, kur mijëra besimtarë myslimanë janë të fokusuar tek përkushtimi i tyre për fenë dhe ndjenjën e gëzimit pas agjërimit në muajin e Ramazanit. Premtimet e gënjeshtrat për një xhami të madhe në Tiranë, kanë nisur qysh në vitin 1993 nga Sali Berisha dhe ende nuk janë realizuar. Në vitin 2011 Edi Rama miratoi projektin danez për një xhami moderne pas Pallatit të Kulturës, por pasardhësi i tij në detyrë, Lulëzim Bash e anuloi atë.