E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kuqezi: Censusi përmbushi dëshirat e Athinës e Beogradit

 Aleanca Kuq e Zi ka reaguar menjëherë pas publikimit të rezultateve paraprake të censusit, duke e cilësuar atë si përmbushje të dëshirës së Athinës e Beogradit në lidhje me numrin e shqiptarëve.

Në reagimin e saj, AK thekson se shifrat e INSTAT-it e nxjerrin popullin shqiptar më të voglin në Ballkan, në një kohë kur shqiptarët llogariten të jetë rreth 10 milionë.

Për AK, rezultatet e publikuara nga INSTAT-i janë veçse dëshmi e denoncimeve të bëra nga kjo aleancë që në nisje të procesit të censusit.

Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë gjatë vitit 2011 është 2 milion e 831 mijë e 741 banorë.

Censusi, Berisha: Ndodhi kapërcimi i madh, jemi vend urban  

Kryeministri Berisha e ka cilësuar jashtëzakonisht të suksesshëm procesin e censusit. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha theksoi si treguesin më pozitiv të këtij procesi përqindjen e popullsisë që jeton në qytete.

Ky është censusi i parë i shqiptarëve në liri. Të dhënat japin një tregues jashtëzakonisht pozitiv. Për herë të parë, popullata e qyteteve dominon mbi zonat rurale. Ne kemi qenë një vend rural, por rezultati dëshmon se aktualisht 53.7 % e shqiptarëve jetojnë në zonat urbane, 46,3 në zonat rurale. Këtu marrin përgjigje të gjithë ata që kanë qenë agresivë në çështjen e lëvizjes së lirë, tha Berisha.

Duke u ndalur në shifrat e dhëna në vite, Berisha e quajti vitin 2011 si viti i kapërcimit të madh. Në vitin 1989, në zonat rurale jetonin mbi 1 milion qytetarë më pak se në fshat. Në vitin 2000, 25 për qind e shqiptarëve ishin më shumë në fshat. Këtë dhjetëvjeçar ndodhi kapërcimi i madh. Shqiptarët janë tashmë komb urban, tha ai.

Në lidhje me qytetarët që nuk kanë marrë pjesë në regjistrim, kreu i qeverisë u shpreh se ata përbëjnë deviacionin më minimal në historinë e kohëve moderne. 1.04 për qind nuk morën pjesë. Ky është deviacioni më minimal në historinë e kohëve moderne.

Duke analizuar të dhënat e INSTAT, Berisha u shpreh entuziast për renditjen e Bashkisë së Kamzës si bashkia e gjashtë në vend për nga numri i popullatës.

* * *

Censusi: INSTAT publikon rezultatet, 29 mijë shqiptarë nuk morën pjesë

Drejtoresha e INSTAT Ines Nurja bëri sot një prezantim paraprak të rezultateve të censusit mbi popullsinë dhe banesat. Sipas saj popullsia e Shqipërisë gjatë vitit 2011 është 2 milion e 831 mijë e 741 banorë.

Krahasuar me popullsinë në vitin 2001 ajo është 7.7 herë më e vogël dhe shkak për këtë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Për herë të parë popullsia në zonat urbane është më e lartë se në zonat rurale ku rreth 53% e popullsisë jetojnë në zonat urbane dhe 43% në zonat rurale, u shpreh Nurja.

Sipas statistikave, numri i personave që kanë refuzuar të përgjigjen për Censusin e të bëhen pjesë e tij është i vogël, 29 355 banorë. Përsa i përket numrit të banesave INSTAT njofton se janë regjistruar 1.075.881 të tilla në mbarë vendin. Drejtoresha e INSTAT theksoi se këto janë rezultate paraprake, ndërkohë që për përfundimtaret do të duhet një skanim dhe analizë e detajuar dhe më e gjerë.

A. Shëmbitraku / G. Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›