E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca e 1 prillit paraqet qeverinë personale të Edi Ramës - identik me qeverinë “Çarçani 2”

01-08-2013 / Gazeta 55

Berisha ironizon kabinetin e ri qeveritar: Qeveria e ardhshme e tejfryrë, ia kalon vetëm Bjellorusia

Kryeministri Sali Berisha ironizon përbërjen e kabinetit të ri qeveritar që u prezantua nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama. Teksa Rama bënte prezantimin gjatë një konference për mediat nga selia e PS, Berisha foli nga mbledhja e Këshillit të Ministrave. Sipas tij, ministrat e Ramës do ulen në karriget e atyre aktualë për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqitën shqiptarëve. “Zoti Kosova, sapo u shpall kabineti i ardhshëm, ku famozi Ilir Beqja do të ulet në karrigen tende për të çuar përpara mashtrimet antiglobaliste që u paraqiti shqiptarëve”- u shpreh Berisha duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Halim Kosova. “Natyrisht nuk mund të them se është më pak i lumtur zoti Bode që në karrigen e tij do të ulet Çimi, se kështu e thërriste deri dje, i cili i hyri në zemër Ramiz Alisë vetëm se i tha të mbjellim patate. Kjo është e vërteta e Shkëlqim Canit dhe e karrierës së tij”- tha kryeministri duke marrë shkas nga emërimi i Shkëlqim Canit në Ministrinë e Financave. Kreu i qeverisë ironizon edhe Ditmir Bushatin e Milena Hariton. Ndërsa në vend të Florion Mimës vjen Arben Ahmetaj, si pronar i kompanisë “Hermes”. Në vend të Genc Pollos Milena Harito, në lidhje farefisnore me Edi Ramën. “Aldo (Bumçi), Sul Bushati (Ditmir Bushati) në timon. Nuk më takon mua të komentoj në këtë mbledhje kabinetin, sepse flet ai vetë. Ai është kabineti që flet vetë. Majlinda e shoh që je e kënaqur. “Hermes” të ndjek pas. Ndërsa një pjesë të zotit Pollo, “kushërira”. Edhe ajo është një risi e këtij kabineti që do të vijë pas datës 7 shtator. Megjithatë këto janë disa nga çudirat, sepse të tjerat do të vlerësohen vetvetiu. Asgjë të re nga fronti i perëndimit - thotë Erih Maria Remark. Asgjë të re nga fronti i 1 prillit”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit ka përgëzuar vetëm praninë e pjesëmarrjes së grave në qeverisje. “Asgjë e re, të themi atë që është, përveç faktit që prania e disa zonjave më shumë në qeveri përbën një hap qartësisht pozitiv. Kjo nuk mund të mohohet. Për të tjerat, shih e shkruaj”- theksoi më tej kryeministri.
Gjithashtu, në vlerësimin e kryeministrit Berisha qeveria e ardhshme është e tejfryrë dhe se këtij formati ia kalon vetëm Bjellorusia. “Kryeministri ka të drejtë të emërojë cilin të dojë ministër. Kjo është në tagrin e Kryeministrit dhe ai ka përgjegjësinë e tij, por ndërtimi i një qeverie më të madhe se Italia, Spanja, Gjermania dhe se të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Evropian është një thes i rëndë mbi barrën e taksapaguesve shqiptarë. Pavarësisht se disa lakej dhe servilë duan tu mbushin mendjen se ministrat socialistë hanë më pak dhe se do të kushtojë më pak qeveria. Kjo është e kundërta. Janë 21 ministra. E thash që emërimet janë në tagrin e Kryeministrit dhe po ashtu edhe ndërtimi i ministrive. Ato ndërtohen sipas vendimit dhe konceptit të tij. Nuk është ai problemi, përveç ‘kushërirës’. Problemi është se mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë do të rëndojë qeveria më e madhe. Aktualisht ia kalon vetëm Bjellorusia. Bjellorusia ka një qeveri më të madhe se qeveria që u shpall sot nga Kryeministri i ardhshëm. Unë uroj që të mos ndjekë rrugën e tij edhe në drejtime të tjera, siç e filloi me qeverinë. Unë jam kundërshtari i tij dhe në asnjë rrethanë nuk do të jem këshilltari i ndokujt”- deklaroi Berisha.
Koment i kryeministrit Berisha në Facebook: Kabineti “Rama”, identik me qeverinë “Çarçani 2”/Pas komenteve në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Sali Berisha reagoi edhe përmes një mesazhi në Facebook, lidhur me përbërjen e prezantimit të qeverisë së re nga Edi Rama. Berisha e cilësoi formacionin e Ramës si qeveri personale të Edi Rama. Kreu i qeverisë akuzon ministrat e rinj për diploma të falsifikuara, trafiqe, vjedhje e fshehje pasurie. Sipas tij, “ky kabinet qeveritar është identik me qeverinë “Çarçani 2”. “Të dashur miq, për herë të parë në histori, aleanca e 1 prillit iu paraqet shqiptarëve standardin e saj, kalimin nga qeveri parlamenti në qeveri personale të Edi Ramës. Qeveria e re për oreksin e ministrave të saj, dosjet që kanë në prokurori, për aferat për vjedhje dhe fshehje pasurie, mund të quhet jo qeveria e babëzizë, por qeveria e lukunisë. Qeveria e Piktorit është qeveria e garancisë së trafikantëve në grupin e PS. Ne krye të Ministrisë së Brendshme një njeri me të atin të arrestuar në flagrance për trafik ilaçesh dhe histori skafesh, etj. Qeveria e aleancës së 1 prillit është qeveria e neobllokmenëve, e nepotizmit, e ministrave me diploma fallco. Ky kabinet qeveritar është identik me qeverinë Çarçani 2. Përpara drejt të shkuarës me Piktorin dështak!”- shkruan Berisha në “Facebook”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›