E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca e përkushtuar për Kosovën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se përkushtimi i Aleancës Veri-atlantike për të ndërtuar dhe siguruar një ambient të qetë në Kosovë dhe në rajon do të vazhdojnë të jenë prioritete të kësaj strukture.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi në Prishtinë, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe për bashkëpunimin e institucioneve kosovare me strukturat e NATO’s.

Në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës thuhet se në takim është konstatuar se situata e sigurisë në vend është e qetë dhe stabile dhe kontributi i strukturave të sigurisë në Kosovë në ndërtimin e ambientit të qetë është i madh.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve kosovare për të zhvilluar bashkëpunim të ngushtë me NATO’n dhe më të gjitha vendet anëtare të NATO’s, me synimin që një ditë të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë strukturë të sigurisë.

Në takim është vlerësuar edhe zhvillimi i kapaciteteve vepruese të FSK-së, me ç’rast zëvendëskryeministri Kuçi ka kërkuar që NATO të vazhdojë mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve të kësaj force në përputhje me standardet e NATO-s dhe të jetë e aftë të veprojë në të gjitha situatat e nevojshme.

Në takim është evidentuar pajtimi i përbashkët në angazhimin për paqen në rajon, ndërtimin e raporteve të mira të fqinjësisë në mes të gjitha vendeve të rajonit si dhe angazhimi për profesionalizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet saj e shohin të ardhmen si një pjesë e strukturës së NATO’s dhe janë të përkushtuara që të përmbushin të gjitha standardet e nevojshme për këtë”, ka thënë Kuçi.

Rasmussen ndodhet për vizitë në Kosovë, gjatë të cilës dje është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler, presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu, si dhe ka vizituar Manastirin e Deçanit.

Gjatë kësaj vizite, numri një i NATO-s ka paralajmëruar vazhdimin e reduktimit të trupave të KFOR-it në terren, për shkak të ngritjes së nivelit të sigurisë në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›