Aleanca e zemërimit kundër padrejtësisë
Boiken Abazi
-Në Republikën e Shqipërisë ka plasur kolera. Por kjo prej kohësh nuk përbën lajm për popullin dhe politikën zyrtare. Kolera godet fillimisht zorrët e barkut. Ajo është vdekjeprurëse, por nuk i vret të gjithë. Ka parti politike si PD-ja, dhe partitë e koalicioneve të saj, që jo vetëm janë infektuar herët, por edhe e kanë përhapur të parat këtë sëmundje me të cilën janë mësuar, e pa të cilën nuk bëjnë dot. Kjo sëmundje e partive aktuale politike nuk mund të luftohet pa gjetur zanafillën e saj dhe kushtet që e mbajnë në jetë.
Që në vitin 1993 RSH iu fut rrugës së programeve të rregullimit strukturor të caktuara nga FMN-ja, dhe të mbështetura fillimisht nga PD-ja e më pas nga të gjitha partitë kryesore të vendit. Këto programe ia mohuan njëherë e mirë RSH-së mundësinë për të patur një tranzicion sa më të lehtë duke prerë në mënyrë drastike të gjitha shpenzimet publike, duke shkatërruar arsimin dhe shëndetësinë, duke shitur e privatizuar për pesë pare spec të gjitha asetet kryesore dhe duke përhapur në vend kolerën neoliberale.
Nga njëra anë ekonomia e humbi potencialin e saj, dhe nga ana tjetër në politikë u krijua një prej specieve më të egra që ka parë njerëzimi: pushtetarët që biznesin e kanë ngritur përmes politikës dhe politikën e kanë kthyer në biznes, e thënë ndryshe ‘pushtnesmenët’. Kë- ta të fundit janë agjentët kryesor të përhapjes dhe mbajtjes në jetë të epidemisë së kolerës në vendin tonë. Nuk ka dyshim që Berisha, si naltpushtnesmeni, dhe PD-ja duhen larguar me të gjitha mënyrat e mundshme.
Pas 97-së, pas kapjes së të gjitha institucioneve shtetërore me ardhjen në pushtet në vitin 2005, pas privatizimeve të egra (si kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike: OSSH-ja) dhe shkatërrimit të ekonomisë, pas shpërthimit dhe viktimave në Gërdec, pas vrasjes së protestuesve në 21 janar, pas vdekjes për çdo muaj të një minatori, pas ligjit të plehrave, pasi njerëzit që pretendon se përfaqëson dogjën veten nga dëshpërimi në mes të Tiranës, pas kriminalizimit të të gjithë aparatit shtetëror, pas nëpërkëmbjes dhe përdhosjes që i ka bërë çështjes kombëtare, Berisha dhe pushtnesmenët që i vijnë rrotull jo vetëm që duhet të largohen, por duhet edhe të gjykohen dhe të dënohen.
Nuk ka si të ketë ende dyshime për këtë...Zemërimi që lind nga zorrët e mbyllura të barkut nuk duhet nënvlerësuar kurrë. Ky zemërim shumë shpejt mund të transformohet në një zemëratë kolektive të papërmbajtshme. Kjo është zemërata që mbart me vete të gjithë potencialin për të kthyer një betejë për bukë, në një përpjekje për drejtësi dhe barazi. Botohet me shkurtime