Asgjë e përjetshme
Na ishte njëherë… Kështu nisin zakonisht përrallat. Ato që përgjithësisht kanë fund të lumtur. Por jo të gjitha përrallat e kanë këtë luks. Sidomos ato të vërtetat. Megjithatë, vite më pas, do të tregohet si përrallë dhe tranzicioni i gjatë, i pakuptueshëm dhe i pamerituar shqiptar. Personazhi kryesor është natyrisht Ai. Sot Ai është i vetmuar. Eshtë i lodhur. Eshtë pa forcë, është i kapitur nga betejat e shumta që ka nisur, është i trembur nga makthet e shumta që e trazojnë netëve, është në ankth nga mëkatet e shumta që ka kryer dhe mbi të gjitha, është pa besim. Sepse dikur ka qenë i vetmi që ka besuar tek vetja dhe ringritja edhe atëherë kur çdo mendje normale i kishte lexuar epilogun e karrierës. Eshtë ngjitur nga humnerat në majë, ka premtuar mbretërim në majë sa të ketë frymë dhe sot e mban frymën në buzë të humnerës. Ka marrë gjithçka nga jeta dhe politika dhe tani e di mirë se i duhet të lëshojë sërish gjithçka. Ky është Sali Berisha sot. Më i vetmuar se kurrë, më i përjashtuar se kurrë. Instikti e bën të besojë se pikërisht tani që ka gjithçka, do ti avitet pluhurit pikërisht nga pesha e pushtetit që e ka rrëmbyer pjesë pjesë. Ka Kuvendin dhe numrat e tij, por jo atë të qershorit të katër viteve më parë. Ka qeverinë ku ende mban monologë të çartur mesditave, njëlloj si Makbethi netëve të tij të pagjuma. Ka gjithë kadinjtë e sistemit gjyqësor, ata që japin vendime si osmanët dikur, por që janë të veshur me kostume evropiane dhe të premtuar si të reformuar evropianisht. Ka ende zëdhënës që i shesin çdo shtrëngim zorrësh si simfoni, çdo marrëzi si ar të kulluar dhe çdo vringëllimë shpate si mesazh paqeje. Ka edhe KQZ-në. Natyrisht ka dhe para pafund me të cilat ble miqësi e respekt brenda dhe jashtë vendit.
Sot është më i vetmuar se kurrë. Sepse e di që në këtë botë, edhe në botën e vogël e periferike shqiptare, asgjë nuk është e përjetshme. Sepse e di që sidomos në këtë vend, raporti dashuri-urrejtje është i lidhur direkt me pushtetin: nuk do dhe nuk urren njeri njeriun, por dashuron dhe urren pushtetin që ai zotëron. Dhe e nesërmja pa pushtet e tremb. E tkurr. E mpak dhe plak. Dhe ky është momenti i dëshpërimit: Mbas meje, qameti, është çfarë i vete ndër mend natën kur tenton të shtendoset nga çfarë ka bërë ditën. Sidomos ditëve kur rrethohet nga të rinj universitarë të cilëve ju flet për të nesërmen. Atë të nesërme që ai vetë nuk e mendon sesi do të jetë. Sepse nuk e përfytyron dot pa atë vetë mes saj. Të rinjtë që e duartrokasin nuk dinë përgjithësisht as çfarë ka ndodhur në 91-shin, çfarë ka ngjarë në 96-ën, çfarë u trazuar në 97-ën. Atyre nuk mund tu flitet as për rrezikun e komunizmit, as për dihatjen mbas shpinës së Gjermanisë në ekonomi. As për marifete elektorale dhe as për moral në politikë. Tani është vonë. Shpesh, të pushtetshmit e kësaj bote janë mbajtur mend më shumë për epilogun e karrierës së tyre sesa për çfarë kanë bërë përgjatë saj. Sali Berisha, njeriu me shumë epilogje të tillë në karrierë, e ka një plan, atë që kishte dhe në vitin e largët 1997: Do tu ngrijë buzëqeshjen në buzë! Sepse është i bindur se pa të në pushtet, ky vend meriton qametin.
Politika shqiptare ka rrjedhur me një shpejtësi marramendëse në këtë prill kaotik. Si art i të pamundurës, çfarë dukej e pamundur kohë më parë, sot është bërë realitet: PS dhe LSI, por dhe një varg i gjatë kundërshtarësh të regjimit, janë premtimi kryesor për të bërë zero shanset e Sali Berishës për një mandat të tretë. Sot është e lehtë të kuptohet se vetë Berisha, në sfidën e jetës së tij politike në qershor, ishte kumbari i rikthimit normal të së majtës në gjendjen e saj të natyrshme. Ishte katalizatori që mundësoi reaksionin. Çfarë u prit me habi e tension tre javë më parë, sot ngjan si rrugë e vetme. Kush e pa këtë aleancë fillimisht me syzet e moralit, sot e kupton se çdo medikament, sidomos çdo ilaç i domosdoshëm në politikë, duhet përdorur pa llogaritur efektet anësore. Gjithçka është e vlefshme dhe e nevojshme për të arritur në fundin e përrallës së trishtuar të tranzicionit shqiptar: na ishte njëherë…! Sot, personazhi kryesor i saj është i lodhur. I vetmuar. I trembur dhe më i dobët se kurrë. Eshtë në ankth nga mëkatet dhe në tmerr nga makthet që ka shkaktuar. Ka gjithçka për të kuptuar se asgjë në këtë botë nuk është e përjetshme. Sidomos pushteti dhe dashuria që merret në emër të pushtetit. Ato janë tmerrësisht të përkohshme. Ai e di! E di që do të ikë. Që duhet të ikë!
*JAVA
