E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Aleanca për të ardhmen” - një sakrilegj i të tashmes!

17-04-2011 / Nga Kostaq Xoxa

“Aleanca për qytetarin” ka një dallim thelbësor me “Aleancën për të Ardhmen”.
E para, e përfaqësuar nga Lulzim Basha, përmban një lidhje të ngushtë me të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, në takimet për fushatë zgjedhore. Tanimë kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, është vënë në dijeni, fije për pé, për të gjithë problematikën e kryeqytetit, me të gjitha hallet e tij të mëdha. Këto mund të shmangeshin. Por kryebashkiaku në detyrë hë për hë, me flakëzën e kandilit në fikje, e ka parë Tiranën, si nga lartësitë e avionit, në një ditë përplot me re; kur dita nxin dhe bëhet si natë. Shikimi është opak. Duhen hapur “dritat e gjata” të makinës se, meazallah, mos e bën përshesh njeriun e shkretë që është përpara dhe nuk e parasheh të keqen nga mund t’i vijë...
Disa analistë skrupulozë kanë llogaritur se sa ditë në vit ka qenë i pranishëm në bashki, ish-kryetari i saj gjer në tri javët që vijnë. Na del një  numër dhjetor i nënnjësishëm, thuajse i papërfillshëm. Një infitezimale, siç quhen vlerat me limit zeron. Llogaritësit për të cilët sapo folëm, kanë nxjerrë edhe një përfundim praktik, të logjikshëm: Si mund të merret rroga me këtë farë frekuentimi në “punë”? Por édhe një përfundim të dytë, si rrjedhojë: si mund të marrësh masa ndaj një nëpunësi bashkiak kur vonohet në punë për  gjysmë ore, ta zëmë për një sëmundje të beftë? “Mora në telefon, por s’m’u përgjigj njeri!”- justifikohet i shkreti. “Ligji është ligj, këtë herë paralajmërohesh” – i thotë, hijerëndë, titullari i tij. Shkurt: rrumpallë!
Ky është peizazhi i zymtë i katër viteve të fundit të qeverisjes së katërvjeçarit të fundit, me kandilin në fikje. Jo se vitet e mëparshme, me përjashtim të pak viteve të para të 11-vjeçarit qeverisës, kanë qenë ngazëllues. Për këtë do të japim argumentet e një ditari të paanshëm. Është një libër interesant, i botuar në vitin 2007, me shënimet e një periudhe 50-vjeçare. Është një pasqyrim i paanshëm i kohës, duke filluar më 17 tetor 1954. Mbyllet më 5 shtator 2004. Autori ishte bërë një intelektual me përvetësim gjuhësh  të huaja, vetëm falë vullnetit të tij të paepshëm. Ishte 17-vjeçar kur nisi të mbajë shënimet e përditshme. Rridhte prej një familjeje shumë të varfër të fshatit Sinbeg të Rrogozhinës. Baba dhe nëna: analfabetë. I vetmi nga fëmijët e shumtë të kësaj  familjeje të këputur, që bëri filloren, tetëvjeçaren dhe gjimnazin me nota shumë të mira. Pra, në këtë ditar 50-vjeçar, 36 vite janë nën regjimin e Enver Hoxhës. Si fshatari me kulturë më të madhe jo vetëm në qarkun e Durrësit, por edhe më tej, dhe si biri i një familjeje të paarsimuar e me kasolle në të cilën të mbërthen era në të katër anët, i kishte të gjitha kushtet politike për të qenë i përkëdheluri i regjimit tiranik. Por kishte një “cen” të ndërgjegjes: i mungonte liria. Që në moshë të re, ditari i tij flet për një tronditje mendore, që e bënte ditarin objekt aktakuze: Në f. 92-93 të ditarit (më 19 mars 1967), kur ishte plot 30 vjeç, lexojmë: “Fiks në orën 08. 45’ shembën minaren e xhamisë së re në qendër të Durrësit (...) Mirë që nga feja kanë frikë, por nga ndërtesat çfarë frike kanë? A mos  vallë kjo qeveri-parti mendon se, me shembjen e xhamive e të kishave do të zhdukin edhe fenë? A nuk kuptojnë se feja ka lindur bashkë me njerëzimin dhe do të zhduket bashkë me njerëzimin?... Flitet në rrethe të ngushta se sigurimsat dhe spiunët janë shpërndarë në popull për të kapur e arrestuar ata që flasin kundër shembjes së këtyre objekteve të kultit. Kohë e rrezikshme dhe më e përshtatshme për t’u futur në burg.... Duhet të hesht... Po, po, të hesht!”.
Ja sesi erdhi një kohë që, sikundër Rikard Kapuçinski, Boris Bazhanovi, apo miliona të tjerë të këtij rruzulli, autori ynë, Nezir Isufi, deklaroi në faqet e mëparshme të këtij ditari: Unë jam antikomunist! Këtë e kishte deklaruar edhe Edi Rama, që në vitin 1991 (shih “Refleksionet” e groposura nga vetë autori, nëse mund t’i gjesh, me anë miku!). Por ky i fundit bënte shakà! Kurse Neziri, njeri i talentuar dhe modest  (libri i tij titullohet “Ditari i një katundari”), e kishte seriozisht. Nuk do të zgjatemi në tmerret që përshkruan për kolektivizimin që e çoi ekonominë në zgrip të greminës. Megjithatë mund të shkëpusim nga f. 98, që bën fjalë për vdekjen e të vëllait, fraza që s`duhen harruar: “Donim të shtronim një drekë buke, sidomos për ata të largëtit, por me se?”. Komentet janë të tepërta. Në f. 99: “Ngado që të hidhje sytë, vetëm varfëri e skelete njerëzish shikoje. Asgjë nuk u jepte kooperativa! Pra, në fshatin tonë socialist mbretëronte vetëm varfëria dhe uria... Le të na rrojë e shtrenjta parti që po na jep kaq shumë uri!...”. Shenjat e pikësimit janë të autorit.
Le të kapërcejmë faqet e të vijmë te 1997-a, preludi tragjik i tetëvjeçarit të sundimit të  socialistëve, që na e përshkruan me penelata sterrë vetë Edi Rama. 18.01.’97: “Një zjarr i madh u ndez dhe zor se do të shuhet shpejt. A mos edhe kjo qé një vepër komuniste? Ndoshta! E ç’nuk shpikin ata, vetëm për të zënë karriget e majme!”. Duke qëmtuar tepër shkurt frazat më domethënëse, po lëmë të nënkuptohet kusuri. 19.01.’97: Me thirrjen e PS-së (komuniste) [paranteza e autorit] në Tiranë plasën demonstrata të fuqishme dhe përleshje...Humbjen e parave në firmat komunistët po e shfrytëzojnë për qëllimet e tyre politike!..”.Kapërcejmë datat dhe citojmë, fare shkurt. 26.01.’97: “Doli sheshit se masat e demonstruesve po udhëhiqen nga socialistët (komunistët) dhe bishtat e tyre! (...) Qeveria më detyroi që t’i fus kursimet e mia nëpër firmat private? Dhe tashti të dal në rrugë dhe duke ia kërkuar qeverisë, duke djegur e shkatërruar gjithçka!”. 8:02.’97: Në Vlorë ka tri ditë që qyteti është ngritur në revoltë nën udhëheqjen e social-komunistëve. Kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, si fajtore për këto humbje!... 1.03.’97: “Komunistët kanë filluar vrasjet, djegiet dhe shkatërrimet!”. 2.03.’97: “Mbrëmë dhe sot, në Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Delvinë, qenka bërë si luftë e vërtetë, me të vdekur e të plagosur. Komunistët i paskan marrë këto qytete me forcën e armëve... Kështu thonë dhe komentojnë agjencitë e huaja të lajmeve”. 14.03.’97: “ Grupe njerëzish, gjoja të revoltuar (...) dhe të udhëhequr nga komunistët, kishin shpërthyer depot e armëve (...) dhe me ato në duar kishin marshuar nëpër qytet duke gjuajtur kuturu, duke thyer dyqane, vitrina, magazina, private apo shtetërore, kishin vjedhur mallra, që i ngarkonin nëpër makina dhe pastaj magazinave u vinin zjarrin”. Këto tmerre do t’i verifikojë koha sesa të vërteta janë, nëse libra të vëllimshëm si “Unë e pashe kush e dogji Vlorën”, “Vrasës e shpëtimtarë”, “Skaner 1997” (ky i fundit me më shumë se 600 faqe), nuk ua kanë mbushur mendjen apologjetëve të dhunës. Është fakt se këta libra nuk janë përgënjeshtruar dot as nga ZP-ja e cila në vitin 1991 ishte pagëzuar nga E. Rama, si Zuska Plakë, duke marrë inicialet!
Kuptohet, mbase, se faqe të tëra po i shtrydhim në disa rreshta, për të mbërritur  sa më shpejt te tetëvjeçari mjeran, të cilin e ka paraqitur edhe më zi se kaq vetë Edi Rama. Në vitin 2005 do të vijmë, tani. Por do të donim t’i kushtonim edhe diçka më shumë vëzhgimeve të autorit Nezir Isufi për atë ’97-n, që na zvarriti me pesëvjeçarë të tërë prapa. Diku shkruhet për efektet e kësaj date monstruoze. “Pushtetarët (e ka fjalën për kandidatët për të marrë pushtetin me dhunë), bërtitnin me të madhe për rezultatet në ekonomi. Tamam siç bërtisnin Enver Hoxha dhe R. Alia në kohën e tyre. Deri kur do të vazhdojë?”. Në f. 179: “Mirë që grabisin. Po pse i shkatërrojnë (depot - K.X.) e u vënë zjarrin? Apo kështu e kanë urdhrin nga komunistët e nga greko-serbët?! Edhe arkivën qendrore qindravjeçare të portit (të Vlorës,- shënim) nuk kishin harruar ta digjnin!... Kjo më duket se ishte e planifikuar qysh më parë nga specialistë antishqiptarë!”.
Duke lënë shumë vëzhgime jashtë, vijmë te Tetëvjeçari, i mallkuar, së pari nga vetë E. Rama: 8.12. ’98: Shkova në spital, në Tiranë, se im nip do të operohej. Por, për mungesë dritash e uji, nuk e operuan. Kryeqyteti ka mbetur pa drita e pa ujë. 17.12.’98: Bëhet fjalë për studentët që kishin hyrë në grevën e urisë, për mohimin e të drejtave të tyre. “Nuk bëhet shaka me komunistët! Ata e kanë eksperiencën për mbajtjen e pushtetit, qysh nga koha e baballarëve të tyre...”. 26.03.’99: Dita e tretë që NATO sulmoi Serbinë... etj (E gjithë kjo periudhë lihet jashtë, për të qenë në temë). 
E enjte, 27 janar 2000: “Hapa televizorin te një stacion privat. Po jepte demonstratat që kanë shpërthyer sot në Tiranë kundër qeverisë se ajo, qeveria, mbrëmë natën paska nxjerrë me forcë nga greva e urisë artistët e teatrit, të cilët para disa ditësh qenë futur, sepse në mbrojtje të kulturës shqiptare! Kjo qeveri edhe kulturën e ka shitur te greko-sllavët, pa le më, politikën dhe ekonominë, që dihet prej kohësh”.  Kjo datë duhet mbajtur mend se është emblematike për mënyrën e qeverisjes së Ramës, si ministër i Kulturës dhe ç’marrëdhënie kishte krijuar ai me artistët. Pasi i terrorizoi artistët në atë datë, pasi e tregoi edhe shpirtin demokratik të shkallëz zero me elitën e partisë , LMN-në, tani Edvini kërkon të vërë nën dhunë të gjithë popullin shqiptar!  7.09.2000. Shqyrton një artikull të gazetës “55” të F. Zenelit, në faqen 10 të kësaj gazete. Dakord me autorin për demaskimin e “qeverisë së sotme social-komuniste”. 1 tetor 2000: “Po bëhen votimet për të zgjedhur udhëheqësit vendorë. Për këtë qëllim qeveria ka mobilizuar krejt policinë, ushtrinë dhe forcat e tjera ushtarake, për t’u bërë shantazh votuesve që të votojnë për kandidatët e social-komunistëve! Hajde zgjedhje demokratike, hajde! Kaluar e stërkaluar baballarëve të tyre! (Këta rreshta janë të rëndësishëm në kontekstin krahasimor!). 3 tetor 2000. “...Paskan fituar, në sajë të mashtrimit dhe të shantazhit, mbi 70 %. Por ja një fakt interesant. Në Tiranë nga 472.000 votues të regjistruar, për një ish-ministër (e ka fjalën për E, Ramën) paskan votuar 82.000 veta. Dhe me këto vota ai paska dalë kryetar bashkie! U shpall fitues me afërsisht një të gjashtën e votuesve të regjistruar... Rast i paparë në botë!... Kjo do të thotë, sipas mendimit tim, edhe një hap prapa për këtë vend!...
Tani Edi Rama, që gjeti shesh për të bërë përshesh, kërkon të bëjë namin po s’fitoi! Në kushte shumë më të përparuara zgjedhore. Me një monitorim ndërkombëtar tepër të kualifikuar. Jo me lista zgjedhore si ato të Finos, që mbështeteshin në fletët e marra nga regjistrat tërë gabime të gjendjes civile. Tani janë të kompjuterizuar të gjithë votuesit, që shkojnë  në votim me karta identiteti biometrike. Para se ta përfundojmë, duke shkëputur një të tretën e këtij libri interesant, që bën fjalë për mungesën absolute të dritave të atij tetëvjeçari të qeverisur nga socialistët, për fukarallëkun  e skajshëm, për ujin me pikatore, për korrupsionin në stratosferë, për trafikun e qenieve njerëzore, për skafet e vdekjes që pasuronin kupolën, për fshatarët që vinin në qytet për të marrë pak bukë nëdyqanet pa bukë, përmes personave të tretë, me pare në dorë, e për njëqind mjerime të tjera. Por këto vetë Rama i ka pranuar, me përfundimin: “E  kishim me hak që humbëm pushtetin!”. Ishte hipokrit, se zgjedhjet e pastetëvjeçarit kanë qenë në progres: Ato të 2009-s ishin më të avancuara se ato të 2005-s, Dhe ato të tanishmet, siç ka deklaruar edhe dr. Berisha, do të jenë edhe më të përparuara. Por Edvini, me profecitë e tij të çekuilibruara që e kalojnë Kasandrën, kërkoi, së pari, t’i sabotojë zgjedhjet e 8 majit dhe, pasi s’ia doli dot, bën hipoteza nga më të çuditshmet se do të vazhdojë me ato çmenduritë e populizmit anarkik të tij për të destabilizuar demokracinë shqiptare. Është e qartë se kush ka interes të shndërrojë zgjedhjet administrative, në zgjedhje politike. Ai nuk kërkon të analizohet e tashmja, madje edhe e shkuara,. por vetëm ardhmëria(!). E tashmja është bosh. E kaluara u pa edhe në këtë shkrim. Si do t’i besojë zgjedhësi të ardhmen në hava, pa mbështetje?
Një pyetje e fundit, që ai do ta priste me zemëratë, siç e trajtoi atë gazetaren e TV Shijakut: Ju, z. Rama, apo formacioni juaj, ka pasur një periudhë qeverisjeje. Në mungesë të një programi, ç’model qeverisjeje do t’i propozoni zgjedhësit? S’mund të flisni për qeverisjen tetëvjeçare, se atë e keni mallkuar vetë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›