E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleat i dorezon Nokes certifikaten e sigurise per dokumentat biometrike

Drejtuesit e Kompanisë “Aleat” Zhan Alën Zhuan dhe Drejtori i Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve Martin Mata i dorëzuan ministrit të Brendshëm Flamur Noka, çertifikatën më të lartë të sigurisë, sipas standardit ISO 27001:2007, dhënë për sistemin shqiptar të personalizimit të dokumentave biometrikë të Identitetit, gjatë një takimi në ambjentet e ministrisë së Brendshme.

Kjo është një tjetër arritje për sigurinë e dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë dhe, paralelisht, një plotësim i termave të koncesionit. Standardi ISO 27001:2007, është një standard shumë i lartë, që shumë pak institucione i plotësojnë standardet për ta pasur atë. Z. Zhuan, nënvizoi bashkëpunimin e deritanishëm, si një bashkëpunim të shkëlqyer me pritshmërinë për të vijuar edhe në të ardhmen.

Ministri Noka, vlerësoi dhe falënderoi z. Zhuan për bashkëpunimin në vijimësi, duke shprehur bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe e cilësoi marrjen e kësaj certifikate, “si një arritje shumë të madhe në sigurinë e dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë”. Ministri parashtroi kërkesën për marrjen e të gjitha masave për të përballuar fluksin e mundshëm gjatë kësaj periudhe pushimesh, kur me mijëra bashkatdhetarë që vijnë në atdhe, do të paraqesin kërkesat për t’u pajisur me dokumentet e reja të identifikimit, pasi nga ana e zyrave të gjendjes civile janë marrë të gjitha masat për t’u shërbyer në kohë shtetasve shqiptarë.

Z. Zhuan e siguroi Ministrin e Brendshëm, z. Noka se kompania “Aleat”, ashtu sikundër edhe në të shkuarën, do të tregojë fleksibilitetin dhe angazhimin maksimal dhe do të marrë të gjitha masat për t’ u shërbyer shtetasve shqiptarë në kohë dhe cilësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›