E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia reagon pas akuzave te PS-se per projektin GIS

Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen e saj që ish drejtuesit të Bashkisë së Tiranës vazhdojnë të sjellin si kontribut për qytetin vetëm mashtrimin. Në një deklaratë për mediat nënkryetarja e këtij institucioni Jorida Tabaku tha se akuzat e ish-nënkryetarit Eduard Shalsi për projektin GIS janë të pabaza.
“Shalsi deklaroi sot se sistemi i GIS ka kushtuar vetëm 30 mijë dollarë.
Por e vërteta është krejt ndryshe. Në vitin 2005, midis Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë turke Inta Space –Turk u nënshkrua kontrata për projektin e menaxhimit të tokës urbane me një zonë mbulimi prej rreth 20 km katrorë. Vlera e kontratës ishte 200 mijë dollarë. Në këtë kontratë nuk përfshihej shuma prej 25 mijë dollarësh pa TVSH për pajisjet e nevojshme dhe rreth 50 mijë euro për blerjen e licensave për përdorimin e sistemit. Për të rritur shërbimin e këtij sistemi, në vitin 2008 është nënshkruar një tjetër kontratë mes GTZ dhe kompanisë gjermane GCI me vlerë rreth 200 mijë euro. Për të reflektuar në sistemin GIS përshtatjen e strukturës së re të parashikuar në marrëveshjen me kompaninë gjermane GCI, në 2009, GTZ ka kontraktuar kompaninë GISDATA. Vlera e kontratës ishte rreth 35 mijë euro. Gjithësej, i gjithë investimi për të cilin foli sot zoti Shalsi, nga viti 2005 deri në vitin 2009, është rreth 600 mijë dollarë”- deklaroi nënkryetarja e Bashkisë.

Sipas saj ndryshimet që ka pësuar Tirana që nga 2005, kur është dhe baza kryesore e të dhënave në sistemin aktual GIS dhe përcaktimet në ligjin e ri të Planifikimit të Territorit, e bënë të domosdoshme ndërhyrjen në këtë sistem, çka do të thotë që ky sistem rinovohet tërësht.

“Bashkia e Tiranës ka përcaktuar që në sistemin e ri GIS të përfshihet i gjithë territory, rreth 42 km katrorë që shtrihet në kufirin administrativ të Bashkisë së Tiranës. Sistemi i ri GIS parashikon ristrukturimin dhe azhornimin e të dhënave që pasqyrojnë situatën aktuale në qytetin e Tiranës. Lehtësi në përdorim dhe akses të gjerë pa pasur nevojën e një pagese ekstra për blerje licensash, e cila në projektin për të cilin flet zoti Shalsi, parashikohej 7 deri në 10 mijë dollarë për çdo përdorues” vijoi më tej Tabaku, e cila shtoi se me sistemin e ri mund të behet analiza në mënyrë dinamike, sa herë që ndryshon konfigurimi i një zone të caktuar.

Ajo tha se procedurat e tenderit kanë qenë transparente dhe në përputhe të plotë me ligjin për prokurimet publike në RSH dhe se Shalsi nuk i është drejtuar me asnjë kërkesë Bashkisë së Tiranës për të marrë informacion për kompanitë që kanë marrë pjesë në tender. Ndersa për sa i përket fituesit, ai do të shpallet sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në ligj.

“Tirana nuk do të jetë më qyteti i zhvillimit pa plan, pa vizion dhe bazuar vetëm në interesa të momentit. Bashkia e Tiranës ka sot një projekt zhvillimi për 30 vitet e ardhshme, projekt i cili bazohet në praktikat më të mira të kryeqyteteve të Europës dhe botës”- përfundoi Tabaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›