E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët: Jemi para sfidave, nevojitet tryeza e djathtë

Republikanët dhe demokristianët thonë se ka ardhur koha që të nisë diskutimi i partive të mazhorancës për çështjen e reformës zgjedhore dhe për formën e koalicionit të ardhshëm. Nuk përjashtohet ultimatumi shkresor

Aleatët e djathtë e shohin si të nevojshme mbledhjen e tryezës së koalicionit të djathtë për të diskutuar për çështjet më të rëndësishme që i përkasin kampit politik. Ndërsa ka mbetur më pak se një vit nga dalja në zgjedhjet e ardhshme, mazhoranca aktuale ndjen nevojën për të diskutuar për disa çështje të rëndësishme, si reforma zgjedhore apo mënyrën sesi do të kompozohet koalicioni i ardhshëm parazgjedhor. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se pret një reagim të Partisë Demokratike për sa i përket propozimit të pak ditëve më parë, ku ai kërkoi që të mblidhet sërish tryeza e djathtë për të diskutuar për çështjet që “shqetësojnë” aleancën e djathtë. I pyetur nëse mund të ketë ndonjë nismë konkrete për të bashkuar të gjithë aleatët e djathtë për t’i kërkuar kryeministrit Berisha mbledhjen urgjente të tryezës, Ndoka thotë se fillimisht do të presë deri në nisjen nga puna të komisionit të reformës zgjedhore. Edhe aleati tjetër, kreu i grupit parlamentar republikan, Arian Madhi, thotë se do të ishte pozitive nisja e një dialogu mes partive të mazhorancës, kryesisht për çështjen e reformës zgjedhore, por edhe për formën e koalicionit të ardhshëm. “Asnjëherë nuk ka pasoja të këqija nëse do të iniciohet një dialog. Dialogu është i frytshëm dhe i nevojshëm. Sigurisht që me dialog nënkuptoj faktin që jemi në periudhën e fundit të mandatit tonë dhe duhet të përballemi edhe me sfida të tjera”, thotë Madhi. Sipas tij, tek sfidat e tjera përfshihen edhe çështja e reformës zgjedhore dhe diskutimi për koalicionin e ardhshëm. Mbledhja në një tryezë diskutimi i të gjithë përfaqësuesve të lartë të partive të mazhorancës aktuale, është kërkuar vazhdimisht nga aleatët, të cilët shpesh “janë ankuar” se nevojiten diskutime para se të ndërmerren zgjidhje të orëve të fundit, ashtu sikurse ndodh me shumë projektligje të rëndësishme apo nisma. Tashmë, në kampin e djathtë çështjet kryesore që mbeten për t’u diskutuar janë Kodi i ri Zgjedhor, forma e koalicionit të ardhshëm, por edhe shumë çështje të tjera, si mundësia e krijimit të një federate të djathtë apo edhe shkrirja e disa forcave të vogla politike. Në sesionin e kaluar parlamentar, pak ditë para se të votoheshin ndryshimet kushtetuese, aleatët e djathtë i kërkuan kryeministrit Sali Berisha që të mblidhte tryezën e djathtë, për të diskutuar kryesisht për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pas “heshtjes” disaditore të kryeministrit, aleatët u bashkuan në një qëndrim dhe nënshkruan një ultimatum shkresor, ku i kërkonin kryeministrit Berisha që t’i mblidhte për të diskutuar. Pak ditë pas këtij ultimatumi, kryeministri Berisha inicioi vazhdimisht disa takime të njëpasnjëshme në Kryeministri me aleatët e tij, pasi nuk u arrit një konsensus për “pranimin” e sistemit proporcional rajonal. Krerët e partive aleate nuk arritën të gjejnë konsensus me kryeministrin Sali Berisha deri në mbledhjen e fundit, e cila u zhvillua pak para seancës ku do të votoheshin ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Në këtë mbledhje të fundit, kryeministri Berisha arriti t’u ndryshojë mendjen aleatëve, të cilët pastaj e mbështetën me vota. Ndërkohë, kërkesa për mbledhjen e tryezës së djathtë vjen në një periudhë ku Partia Demokratike, edhe pse me “ethet” e parakohshme elektorale, nuk po diskuton çështjet më të rëndësishme që i përkasin asaj dhe koalicionit të ardhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›