Ekspertët: Kriza në eurozonë nuk e kërcënon integrimin e Shqipërisë në BE
Shqipëria nuk mund të pengohet në rrugën e integrimit europian për shkak të krizës në eurozonë. Ky është mendimi i unifikuar i disa prej ekspertëve në fushën e ekonomisë në vend, që kanë dhënë për gazetën MAPO në lidhje me çështjen: e cenon apo jo kriza në eurozonë integrimin europian të Shqipërisë. Sipas tyre, kriza ekonomiko-financiare në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë me integrimin tonë në këtë organizëm. “Aktualisht, në eurozonë po përpiqen të harmonizojnë sistemin monetar me atë fiskal. Ky është thelbi i krizës. Por ne nuk jemi në këtë fazë të integrimit. Nuk na pengon kriza aktuale, me gjithë përpjekjet që po bëhen në eurozonë për të harmonizuar sistemin monetar me atë fiskal. Ne, as duhet të hezitojmë e të frikësohemi, por duhet të plotësojmë standardet. Integrimi ekonomik i Shqipërisë në eurozonë duhet të shihet në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Integrimi presupozon standardet, pastaj është diçka formale. Ajo që duhet të bëjmë ne, është të plotësojmë standardet për t’u zhvilluar, jo thjesht për t’u integruar formalisht në BE. Si fillim, ne duhet të plotësojmë standardet. Kjo do të ndodhë për 10-15 vjet. Pastaj, gradualisht do të ndodhë integrimi ekonomik dhe financiar”, - u shpreh eksperti në fushën e ekonomisë, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu. Sipas tij, Shqipëria është në rrugë të drejtë në plotësimin e standardeve, duke arritur nivele zhvillimi të konsiderueshme, duke përballuar si krizën globale edhe atë në eurozonë. Të njëjtin mendim ndan edhe eksperti tjetër në fushën e ekonomisë, Artan Gjergji. Sipas tij, integrimi europian është një proces i gjatë dhe integrimi politik e ekonomik janë procese të ndara. “Faza në të cilën ndodhet Shqipëria, është detyrimi për të plotësuar standardet dhe bëhet fjalë për një proces politik. Pas integrimit politik, Shqipërisë do t’i duhet të paktën një dekadë për t’u integruar ekonomikisht dhe financiarisht. Faza në të cilën jemi, kriza në eurozonë nuk e cenon integrimin politik të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, - u shpreh Gjergji për MAPO-n. Sipas Gjergjit, integrimi ekonomik është procesi më i fundmë. Sipas tij, ka vende si Polonia, Rumania, të cilat janë të integruara në Bashkimin Europian, por nuk i përkasin zonës euro, sepse procesi i integrimit ekonomik zgjat më tej. Ai sqaron më tej se integrimi nis me harmonizim social dhe politik, prandaj kriza ekonomiko-financiare në eurozonë nuk ndikon drejtpërdrejtë për një vend kandidat. Ndërsa eurozona po përpiqet të rimëkëmbet, Banka e investimeve, ‘Goldman Sachs’ ka ulur parashikimin e rritjes ekonomike të eurozonës për vitin 2012. Sipas një raporti, përshkallëzimi i krizës së borxhit në zonën euro, pasuar nga rritja e çmimit të naftës dhe tërmetit në Japoni, në pjesën e parë të vitit kanë rritur pritshmërinë për një recesion të mundshëm të eurozonës. Probabiliteti për një recesion, sipas ‘Goldman Sachs’, në fund të vitit është në segmentin 40-50%. Të dhënat e zhvillimit të biznesit në zonën euro, treguesit e stress – testeve dhe rreziku i recesionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë arsyet kryesore të këtij përfundimi. Megjithatë, kjo sipas ekspertëve nuk do të rrezikojë vendet aspirante për t’u integruar në organizmin e Bashkimit Europian.