E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderat e rrugëve për dy vitet e fundit, sipas rekomandimeve të BEI-t dhe BERZH-it

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ka reaguar ashpër dje ndaj akuzave të deputetit socialist Erion Braçe, i cili pretendoi për parregullsi të firmave ndërtuese në një sërë segmentesh të rëndësishëm rrugorë në vend. Deputeti socialist Erion Brace kërkoi të verifikohen të dhënat e këtyre kompanive që sipas tij janë me probleme shumë të rënda me ligjin. Ndërkaq, që ministri i Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacioneve Sokol Olldashi bëri me dije se këto procedura prokurimi nuk kanë përfunduar ende dhe janë në proces vijues, kështu që pretendimet e socialistit janë të pabaza dhe thjesht spekulime të pamoralshme. Në këtë drejtim, përfaqësuesi i ekzekutivit Sokol Olldashi u shpreh se pretendimet e Braçes për përfshirjen e firmave me “CV të zezë” në procedurat e tenderimit në By-Pasin e Fierit, atij të segmentit Levan-Tepelenë dhe për mbikalimin e Kamzës, janë të pasakta dhe se ai po përçon në Kuvend zërin e atyre ndërtuesve që harbojnë në oborret e vrasësve. “Këto janë vepra të infrastrukturës publike të financuara pjesërisht nga shteti dhe pastaj nga Banka Europiane. Procedurat e prokurimit që janë ndjekur në rastin e Kamzës, si dhe në dy rastet e tjera janë ndjekur duke u bazuar në rekomandimet e BEI (Banka Europiane e Investimeve) dhe BERZH (Banka Europiane për rindërtim dhe zhvillim).Tejet të ndryshme nga procedurat do të thosha që përpiqen të sjellin këtu njerëz që harbojnë në oborret e vrasësve që merren me ndërtime dhe që kanë interesa të tjera aspak të lidhura me publikun dhe jo interesin e përgjithshëm”, deklaroi Olldashi. Në këtë moment ka ardhur edhe reagimi i deputetit socialist i cili ka përdorur fjalë me ton fyes në drejtim të ministrit, në përpjekje për të replikuar, por që nuk i është dhënë fjala nga kryetarja e Kuvendit sipas së cilës “rregullorja nuk njeh replikë mbi replikë”. Kryeparlamentarja Topalli, u detyrua të ndërpresë seancën për disa minuta, ndërkohë që Olldashi dhe Brace këmbenin fjalë fyese me njëri-tjetrin. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Brace, iu drejtua ministrit duke i thënë se do ta padisë penalisht. Më pas, me rifillimin e seancës, Brace u përpoq të justifikohet për krijimin e kësaj situate aspak normale në sallën e ligjvënësve, sqaroi se gjithçka që paraqiti në fjalën e tij janë të dhëna për kompanitë pjesëmarrëse në tendera.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›