Intervista/Koçi: Politika e re e Ramës, një mendësi bolshevike që rrafshon sipas revolucioneve proletare
Zoti Koçi si e gjykoni nismën e Partisë Socialiste për amendime në Kushtetutë në kuadër të reformës zgjedhore?
Duket qartë që është një nismë aspak transparente, është një marrëdhënie mes subjektesh private dhe jo publike e cila ka ndjekur një rrugë jo institucionale nga Partia Socialiste. Duke qenë e tillë për mendimin tim
kemi te bëjmë me një fenomen të rrezikshëm për politikën dhe për fatin e institucioneve publike në Shqipëri
Se fundmi zoti Gjinushi është shprehur se e mbështet proporcionalin rajonal të kryetarit të PS-e zotit Rama, duke “tradhtuar” në këtë mënyrë partitë e vogla, ju si e gjykoni këtë pozicionim të fundit të kreut të PSD-së?
Nuk e di se çfarë interesash ka zotit Gjinushi. Kjo është çështje e tij, unë flas për një proces politik brenda Partise Socialiste të pakonsultuar me anëtarët dhe strukturat e gjera të partisë dhe produkti që propozohet nga PS-ja përbën realizimin e interesave të një grushti njerëzish në kryesinë e Partisë Socialiste të cilët me sisteme të tjera zgjedhore do ta kishin të vështirë për t’u zgjedhur.
Ju keni deklaruar se jeni për një rithemelim të së majtës shqiptare. Çfarë keni parasysh me këtë dhe cilët janë emrat që ju gjykoni të përshtatshëm për të qenë pjesë e kësaj nisme?
Jam për një rithemelim të së majtës, pasi duket qartë që e majta i ka tradhtuar interesat e shtresave të gjëra, por nuk është armike e kapitalit
të madh. Ajo duhet të mbetet një zëdhënëse dhe shpresë e shtresave
të gjëra dhe ne nevojë për të gjithë shqiptarët të cilat në tranzicionin aktual janë shumë të rrezikuara. Praktikisht Partia Socialiste është një nga instrumentet politik të thellimit të hendekut midis të varfërve dhe
të pasurve në Shqipëri.
Në ç’raport qëndron lëvizja që ju drejtoni në PS me lëvizjen e re që ka inicuar kohët e fundit kreu i LSI-së, Ilir Meta?
Ndryshimi i pozicionit nga ana e LSI-së është parë me pozitivitet nga ne pasi më në fund u duk që një pjesë e koalicionit ka ardhur tek ne. Analiza që ne i bëjmë situatës politike dhe zhvillimeve brenda së majtës apo dhe vet brenda Partisë Socialiste. Kështu që mendoj se ky lloj pozicionimi i ri përbën dhe shanse të përbashkëta dhe për zhvillime që do të orientojnë atë ç’ka përmenda më lart riformatimin e së majtës.
Në debatin Rama-Meta, sa përgjegjësi ka kryesocialisti Edi Rama dhe si duhej të ishte menaxhuar Reforma Zgjedhore për të mos prishur marrëdhëniet me aleatët e vegjël?
Drafti që propozon Partia Socialiste është një draft që i ngjason projektit për Kushtetutë në vitin 1994. Pra bëhet fjalë për një sistem, në të cilin gjithçka kontrollohet nga një njeri apo një grusht njerëzish rreth tij.
Politikës së re të Edi Ramës i është kundërvënë dhe Ilir Meta, i cili e ka konsideruar cinizëm deklaratën e kahershme të Ramës se në 17 vjet klasa politike nuk ka arritur të bëjë asgjë për shqiptarët. Ju ndani të njëjtin mendim me të dhe nëse po, cilat janë efektet negative të politikës së re në Partinë Socialiste?
Unë kam gjykimin tim lidhur me atë që quhet “politikë e re” e cila deri tani nuk ka sjellë asnjë argument. Përsa i përket rrafshimit në zero të 17 viteve, kemi të bëjmë me një filozofi të djathtë. E gjitha kjo mbart një mentalitet të revolucioneve proletare, pra ku gjithçka do të fillojë nga e para dhe këtu do të fillojë jeta e bukur ku luga e florinjtë do të zëvendësojë lugën aktuale.
Zgjedhjeve e ardhshme parlamentare po afrojnë. Si e konsideroni fushatën përgatitore në të PS-se që synon në radhë të parë të identifikoje qendrat kryesore të lobeve financiare në Tiranë dhe rrethe. A mos ndoshta pragmatizmi shpesh tipik i Ramës dhe dëshira për të pastruar partinë nga ata që ai i konsideron si kundërshtarë, do të prodhojë një listë të mbushur me biznesmenë që nuk kanë asnjë lidhje ideologjike me të majtën?
Partia Socialiste nuk është më një instrument politik që lufton për barazi shoqërore dhe shanse të barabarta në ekonomi. Ajo është kthyer në një instrument të lobeve të caktuara, oligarkike financiare në nivel qendror por edhe në nivel lokal dhe në PS-së mendojnë se kjo do të jetë rruga
e fitores për zgjedhjet e ardhshme, mbështetja tek këto lobe. Në fund të fundit lidershipi i PS-së nuk është thjeshtë një lidership i përzgjedhur nga anëtarësia se sa një emërtesë e përzgjedhur nga oligarkia. Sigurisht që vendi nuk mund të ecë përpara pa një borgjezi të zhvilluar pa një borgjezi të kultivuar me karakter nacional, por është e pa lejueshme dhe e pafalshme që një parti e majtë është kthyer në instrumentin kryesor të së djathtës ekonomike në Shqipëri.
Në këtë kuadër si e shihni të ardhmen tuaj politike, pjesë e ndonjë formacioni të ri politik, apo keni deri diku garanci se do të jeni ndër të preferuarit e kryetarit Rama në listën finale zgjedhore?
Ky nuk përbën ndonjë problem të madh për procesin politik në Shqipëri apo në Partinë Socialiste, pavarësisht se mund të jetë një indikator për atë që ndodh. Unë sido që të jetë, kudo që të jem, jam socialist dhe përderisa Partia Socialiste nuk është më Socialiste duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që në të ardhmen të përfaqësohemi. Unë jam një ndër themeluesit e Partise Socialiste. Ajo ka qenë koha e idealeve të mëdha, tani është koha e tenderave të mëdhenj, domethënë një pjesë kanë ardhur në PS në kohën e tenderave. Unë mendoj se vendi, PS-ja dhe mbi të gjitha politika ka nevojë për ideale.
Bisedoi Silvana Tresa