E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk ka pengesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Kreu i qeverisë Berisha, ka deklaruar dje, pas punimeve të samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, që u përkasin familjeve politike të qendrës së djathtë të vendeve të BE-së dhe vendeve anëtare të Partive Popullore Evropiane, se kishte kërkuar mbështetjen e të gjithë vendeve të Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Komisioni Evropian, Jose Manuel Barroso, Presidenti i Këshillit të Europës Janez Jansa, Presidenti i Parlamentit Europian, Hans-Gert Poettering, Kancelarja gjermane znj. Angela Merkel, Kryeministri francez Francois Fillon, Kryeministri grek Kostas Karamanlis, kryeministri maqedonas Gruevski, Kryeministri kroat Sanader, Kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, etj. Ndër të tjera Kryeministri Berisha zhvilloi takime dypalëshe dhe diskutime, gjatë një dreke pune, me Kancelaren Angela Merkel, Presidentin e Parlamentit Europian z.Hans-Gert Poettering, Kryeministrin francez Francois Fillon, Kryeministrin grek Kostas Karamanlis, Kryeministrin maqedonas Gruevski dhe Kryeministrin kroat Sanader. Në ketë Samitit është diskutuar për Traktatin e Lisbonës, për referendumin që duhet të mbahet në Irlandë për njohjen e Traktatin të ri, ngrohjen globale si dhe rolin kyç që duhet të luajë Evropa në parandalimin dhe përmirësimin e gjendjes për ambientin. Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso njoftoi gjithashtu dhe zgjidhjen e çështjes së zonës ujore, ekologjike dhe peshkimit të Kroacisë me vendet fqinje, duke u shprehur se kjo i hap rrugën anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha u shpreh se gjatë këtij Samiti pata rastin të kërkoi mbështetjen e të gjithë vendeve të Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe vazhdimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës i shërben dhe ka një rol shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Për këto çështje, Kryeministri Berisha theksoi se gjeti mirëkuptim të plotë dhe mori mbështetje nga kolegët e tij. Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me debatin për emrin e Maqedonisë, kryeministri Berisha tha se konstaton ekzistencën e vullnetit të duhur për të negociuar seriozisht ndërmjet palëve (Maqedonisë dhe Greqisë). Shpresojmë, u shpreh Kryeministri, që kjo çështje dypalëshe të marrë zgjidhje përfundimtare në interesin më të mirë të të dy vendeve. Në vazhdim kryeministri tha se deri tani nuk ka pengesa për anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO. Duke iu përgjigjur interesit të medias, Berisha u shpreh optimist se vendet e Bashkimit Evropian do të ratifikojnë brenda një afati të shkurtër Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.
Mediu: Përfaqësues të NATO-s, sinjale pozitive se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit/Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u shpreh optimist se Shqipëria do ta marrë ftesën e anëtarësimit në NATO në Samitin e Bukureshtit. Ministri Mediu theksoi se nga takimet, diskutimet dhe kontaktet e deritanishme me homologë dhe përfaqësues të vendeve anëtare në NATO, janë marrë të gjitha sinjalet pozitive se Shqipëria do të marrë ftesën e anëtarësimit, dhe ky është lajmi më i mirë për të gjithë shqiptarët. Ai deklaroi se debatet për reformën zgjedhore, nuk e dëmtojnë imazhin e Shqipërisë për marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO, në Samitin e Bukureshtit, që do të zhvillohet ditët e para të muajit Prill. Ministri Mediu u shpreh se “debati që po zhvillohet aktualisht ndërmjet forcave politike në vend është i shëndoshë, pavarësisht nga konjukturat dhe interesat e momentit. Është më mirë të ketë debat, sesa të ketë veprime, të cilat do të cënonin edhe debatin, edhe marrëdhëniet politike”. Mediu ka përjashtuar ndikimin që mund të ketë debati për çështjen e emrit të Maqedonisë për integrimin e Shqipërisë në NATO, duke shtuar se “vlerësimi që do të bëjë NATO, të paktën deri në këto momente, nuk do të ndikojë për Shqipërinë, nisur këtu si për çështjen e emrit të Maqedonisë, ashtu dhe për zhvillimet e brendshme politike të saj”. Ministri Mediu u shpreh se “dëshira e shqiptarëve do të ishte që ftesën e anëtarësimit në NATO ta merrnin të tre vendet e Kartës Adriatik 3, pasi ky do të ishte mesazhi më pozitiv për të gjithë rajonin, për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimet në Serbi, për vetë të ardhmen e rajonit të Ballkanit”. “Samiti i Rigës, Samiti i Ministrave të Mbrojtjes, që u zhvillua në Bullgari, po kështu edhe takimi i fundit i Ministrave të Jashtëm, theksuan se zgjerimi do të bazohet mbi performancën individuale”, u shpreh Mediu, duke shtuar se “homologët e tanë të Greqisë, Rumanisë, Turqisë, etj, në takimet që pata me ta, vlerësuan reformat që ka bërë Shqipëria dhe çështjet që kanë të bëjnë me Maqedoninë nuk do të reflektojnë mbi pozicionin e vendit tonë”. Duke folur për bashkëpunimin midis vendeve të Kartës së Adriatik 3, Mediu theksoi se “Karta Adriatik 3, nuk ishte një kërkesë e bërë nga NATO, por një iniciativë e vendeve respektive për të bashkëpunuar dhe për të realizuar më të mirën për vendet e tyre, por kjo nuk do të thotë se vlerësimi do të bëhet mbi bazat e A3-it. Ato do të bëhen në kuadër të performancës individuale të çdo shteti për realizimin e detyrimeve dhe reformave që ka vendosur NATO” . Takimi i zhvilluar në fund të muajit Janar në Bruksel, tha ministri shqiptar i Mbrojtjes, ka vlerësuar pozitivisht reformat e ndërmarra deri më tani nga shteti shqiptar në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformës në drejtësi dhe sistemin zgjedhor, reformën në Forcat e Armatosura dhe bërjen e shtetit ligjor, të kërkuar nga NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›