E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleatët komunistë të PPSH në koalicion me Ramën: Hashashi të legalizohet

TIRANE - Aleatët zgjedhorë të Partisë Socialiste kërkojnë në programin e tyre licencim të kultivimit dhe shitjes së kanabis sativa për qëllime mjekësore dhe industriale. Partia e Punës e Riorganizuar del me një program revolucionar duke thyer tabutë e deritanishme. Gazeta “Panorama” zbulon programin e kësaj partie, i cili do t’u bëhet i njohur të gjitha partive që janë në koalicion me të. Në qendër të programit të tyre është shtetëzimi i ekonomisë, por edhe lejimi i iniciativave private në konkurrencë me atë shtetërore. Por lajmi sensacional që vjen nga partia që është vijuesja me e afërt me Partinë e Punës së Shqipërisë, të drejtuar nga Enver Hoxha, është ai i licencimit të bimëve narkotike, si kanabis sativa. “Të ndërgjegjësojmë komunitetin mbi domosdoshmërinë e licencimit të kultivimit dhe shitjes për qëllime mjekësore dhe industriale të disa bimëve që gabimisht janë quajtur droga, si kanabis sativa (kërpi industrial). Në këtë drejtim duhet të shfrytëzohet praktika e vendeve të zhvilluara si SHBA, Holanda, Zvicra etj. të cilat prej kohësh e kanë hequr këtë bimë nga ‘lista e zezë’. Kanabis është një bimë e njohur për aftësitë e veta kurative, por edhe e mbushur me bioenergji, gjë e cila nuk i ka leverdisur prej dhjetëra vitesh lobeve të mëdha të naftës, të cilat kanë financuar edhe ‘deklasimin’ e kësaj bime, duke shfrytëzuar disa veti të saj halucigjene. Shkenca sot ka vërtetuar se përdorimi i kanabis për arsye mjekësore është shumë i dobishëm, ndërsa nuk sjell dëme për organizimin, pasi nuk shkakton varësi. Madje në qarqet shkencore thuhet haptazi se është duhani ai që duhet të kriminalizohet për varësinë dhe dëmet që shkakton në organizëm dhe jo kanabisi”, thuhet në një nga pikat e programit të Partisë së Punës së Riorganizuar. Një qasje të re ka dhe ndaj ish-të përndjekurve politikë. Për shkak të abuzimeve të shumta që janë bërë me burgun politik, komunistët kërkojnë rigjykim për të gjithë ata që pretendojnë se kanë qenë të burgosur për arsye politike, sipas shtetit të së drejtës dhe kompensim të tyre mbi bazën e këtij gjykimi.

Shtetëzimi
Në programin e tyre, komunistët e Partisë së Punës së Riorganizuar kërkojnë të luftojnë monopolet e vendosura në shumë sektorë të ekonomisë kombëtare. Ata kërkojnë ngritjen e Bankës Shtetërore Kombëtare të Kursimeve, ku qytetarët të mund të depozitojnë kursimet e tyre të garantuara në masën 100%. Një çështje tjetër me interes për publikun sipas tyre, do të jetë shtetëzimi i minierave në të gjithë vendin mbi një bazë të re juridiko-ekonomike, duke rritur punësimin në to dhe duke frenuar grabitjen e tyre. Për të rritur të ardhurat kombëtare por dhe punësimin e punëtorëve, Partia e Punës e Riorganizuar kërkon hapjen e tri fabrikave të dikurshme të prodhimit të cigareve në vend, ato të Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, të ardhurat e të cilave arrijnë sot në 500 milionë euro në vit.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›