E Diel, 1 Nëntor 2026

Kap dy të mitur duke i vjedhur banesën, masakrohet me thikë 27-vjeçari

ELBASAN - Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa është qëlluar 11 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën pranë Universitetit "Aleksandër Xhuvani", ndërsa 27-vjeçari Dardan Krasniqi është kthyer në banesën e tij dhe ka gjetur dy të mitur të komunitetit rom duke vjedhur.

Mësohet se 27-vjeçari është konfliktuar dhe i ka qëlluar me shqelma dy të miturit. Në vendngjarje janë mbledhur shumë banorë, ndërsa një prej të miturve, 12 vjeç ka reaguar duke e qëlluar 11 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit 27-vjeçarin e më pas është larguar. 27-vjeçari i plagosur është dërguar fillimisht në spitalin e Elbasanit, por më pas për shkak të përkeqësimit të gjendjes u transportua në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Sipas burimeve spitalore, 27-vjeçari kishte plagë kryesisht në pjesën e qafës dhe të shpinës. Rreth mesditës së djeshme blutë e Elbasanit kanë mundur të identifikojnë dhe vënë në pranga autorin e krimit, i cili është një 12-vjeçar i komunitetit rom. Ndërkaq është shoqëruar edhe bashkëpunëtori tjetër, po i mitur.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›