E Diel, 1 Nëntor 2026

"Thyhet tabuja", femrat vendosin baste sportive

TIRANE - Stadiume të mbushura vetëm me meshkuj, lokale ku transmetohen ndeshje sportive, gjithashtu. Kjo ka qenë pamja që të ofrohej pothuajse gjithmonë para disa vitesh në Shqipëri. E ndërsa ky "ligj" ka kohë që është thyer, duket se femrat po avancojnë edhe në fushën e basteve sportive. Së fundi, ato po shihen edhe në pikat e basteve e që, po ashtu si meshkujt, janë të interesuara të plotësojnë skedina për ndeshjet e futbollit që preferojnë. Gjithçka konfirmohet edhe nga Bledi Hana, punonjës në një prej pikave të basteve në qendër të Tiranës. Sipas tij, tendenca e re është vënë re vetëm vitin e fundit, ndërsa përzgjedhja e skuadrave bëhet në bazë të futbollistëve që luajnë në to. "Zgjedhin kryesisht skuadra ku luajnë futbollistë të bukur dhe më pas vijnë për të konfirmuar skedinat nëse kanë fituar apo jo", - tregon Bledi, në këtë intervistë dhënë për "Gazeta Shqiptare".
Bledi, a vijnë femrat për të vënë baste sportive?
Po, vijnë.
Sa kohë ka që kanë filluar të vijnë?
Afërsisht para një viti.
Mesatarisht, sa femra mund të vijnë në ditë?
Po varet. Mund të vijë një, mund të vijnë dy, mund të vijnë pesë.
Vijnë çdo ditë?
Pothuajse çdo ditë. Ka raste që edhe nuk vijnë fare. Avantazhi këtu ku punoj unë është fakti se ka edhe kafe. Kështu që, vijnë të pinë kafe, vënë edhe loto.
Po pas ndeshjeve, vijnë interesohen për skedinën nëse kanë fituar apo jo?
Po, po, vijnë. Janë të interesuara.
A fitojnë?
Po, them se po.
Si i vendosin bastet: rastësisht, domethënë nëse kanë fat apo jo, apo kanë informacion për skuadrat?
Më shumë i vendosin sipas lojtarëve të njohur, si për shembull Christiano Ronaldo, këta që janë më të bukur.
Po tendenca, ka ardhur në rritje apo në rënie?
Ka ardhur në rritje. Sa vjen dhe bëhen më tepër.
Kryesisht, në çfarë oraresh vijnë?
Në mëngjes më tepër, që pinë edhe kafen ose ndonjë gjë tjetër.
A i ndjekin ndeshjet në lokal, apo i shikojnë në vende të tjera?
Jo, nuk rrinë që ta ndjekin. Vetëm në rastet kur vendosim ndonjë projektor jashtë mund të vijnë, ndërsa brenda jo.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›