E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica si gur gjeopolitik rus

Jo rastësisht ambasadori i ri i Rusisë në Serbi, Aleksandër Çepurin, zgjodhi të shkojë për vizitë dhe takime në Mitrovicën e veriut në 1 prill një ditë përpara raundit të 8-të të bisedimeve të 2 prillit në Bruksel mes kryeministrit serb, Ivica Daçiç, dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku çështja kryesore e raundit ishte arritja e një marrëveshjeje lidhur me veriun e Kosovës. Ishte një sinjal diplomatik se Rusia dëshironte që raundi i ri i dialogut të dështonte, dhe Serbia faktikisht nuk e pranoi planin e propozuar nga Bashkimi Europian për këtë çështje. Në një farë kuptimi, udhëheqësit aktualë të Beogradit, kryeministri dhe presidenti, e vunë veten në të njëjtën pozitë refuzimi që protektori i tyre personal i dikurshëm, Sllobodan Millosheviç, i bëri marrëveshjes për Kosovën të propozuar nga ndërkombëtarët në Rambuje, katërmbëdhjetë vjet më parë.
Pikërisht në kohën kur delegacioni i lartë qeveritar serb u largua nga Brukseli me sugjerimin europian që të kthehet në Beograd për konsultime dhe brenda një afati të japë përgjigjen përfundimtare zyrtare, Rusia intensifikoi presionin dhe veprimin diplomatik mbi qeverinë serbe. Duke prishur heshtjen diplomatike, që paraprin si rregull datat apo afatet e përgjigjeve përfundimtare, Moska e bëri zyrtare mbështetjen për refuzimin e Serbisë ndaj propozimeve të BE-së, pa e thënë ende Serbia. Nga Tashkenti i largët, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi në 6 prill se për Rusinë janë të papranueshme ultimatumet e Bashkimit Europian ndaj Serbisë, duke i bërë të qartë kështu Beogradit se Moska i kërkonte që ta hedhë poshtë zyrtarisht planin europian.
Situata e re në raportet Serbi-BE dhe Serbi-Kosovë dhe udhëkryqi i ri i politikës së jashtme të Serbisë evidenton një intonim të ri të Rusisë në intrigat gjeopolitike të rajonit dhe më konkretisht në Serbi. Me deklarimet intensive dhe me kërkesat e saj shantazhuese ndaj qeverisë serbe, Rusia zbuloi se në fakt nuk është Mitrovica pengesa reale e normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por është Rusia që nxit Serbinë të mos bjerë dakord. Qëndrimet zyrtare të ambasadorit të Rusisë në Serbi, të shpallura në Mitrovicë, idetë, kërkesat dhe inkurajimi i tensionit që ai parashtroi, konturojnë qartë një plan veprimi diplomatik dhe një strategji të Kremlinit për përdorimin e çështjes së Mitrovicës si një instrument i gjeopolitikës ruse në Ballkan.
Së pari, Rusia po nxit bandat dhe forcat separatiste serbe në veri të Kosovës, që të shkallëzojnë intransigjencën e tyre dhe t’i kundërvihen edhe qeverisë në Beograd, dhe të bëjnë çmos që bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të dështojnë. Jo pa qëllim ambasadori i trembi serbët e veriut të Kosovës sikur pranimi i një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës do t’i detyrojë ata të largohen nga Kosova. Madje ai e kapërceu kufirin e normës diplomatike, duke marrë pozicionin agresiv të pakicës serbe në një shtet tjetër dhe duke i bërë paralajmërim qeverisë së shtetit amë të kësaj pakice, në të cilin është akredituar ambasadori.
Diplomacia ruse konstaton se një erë e lehtë realizmi po fryn në politikën shtetërore të Serbisë lidhur me Kosovën, me ose pa dëshirën e udhëheqësve aktualë. Në këtë frymë realiste, që përmblidhet në frazën e thjeshtë se Kosova është e humbur dhe se shteti i Kosovës përbën një realitet të ri politik, po zë vend të dukshëm pikëpamja se e ardhmja europiane e Serbisë nuk mund të sakrifikohet as për hir të një ideje mitike të Kosovës si pjesë e Serbisë dhe as për hir të 20 apo 30 mijë serbëve të manipuluar, që formojnë pakicën serbe në veri të Kosovës. Kjo frymë realizmi, e cila me vështirësi po përpiqet të çajë mes sedrave të sëmura nacionaliste dhe interesave të ngushta elektorale të të dyja partive kryesore qeveritare, si Partia Progresiste Serbe e presidentit dhe e zëvendëskryeministrit të parë dhe Partia Socialiste e kryeministrit, me avancimin e saj mund të prodhojë një situatë tensionimi dhe të çojë në një normalizim të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, qoftë dhe pa e njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetin e pavarur të Kosovës. Një nga zërat e paktë europianë të politikës serbe, ministri i tanishëm i Financave, i cili ka qenë anëtar në qeveritë e mëparshme të Partisë Demokratike, Mladjan Dinkiç, kërkoi në 4 prill që Serbia duhet ta pranojë planin e BE-së, sepse “ne kemi nevojë të ecim drejt BE-së dhe të pranojmë një zgjidhje, me të cilën fillon një marrëdhënie e gjatë dhe e qëndrueshme me Prishtinën”.
Por ky është një stacion zhvillimesh, që nuk u përshtatet interesave dhe strategjisë së Rusisë në Ballkan dhe ku mbajtja gjallë e zjarrit të tensionit apo e një konflikti të ngrirë në veriun e Kosovës shërben si një nga instrumentet e strategjisë gjeopolitike të Moskës në rajon. Për këtë arsye diplomacia ruse ndjehet e shqetësuar dhe e kërcënuar nga hapat e normalizimit, qoftë dhe modest, që kanë sjellë marrëveshjet e nënshkruara deri tani në Bruksel mes kryeministrit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës. Ndaj diplomacia ruse po kërkon që të nxisë pabindshmërinë e bandave dhe forcave paramilitare serbe të Mitrovicës së veriut, që të refuzojnë çdo marrëveshje të Beogradit me Prishtinën, për t’i mbajtur kufijtë mes dy vendeve si fusha të minuara. Nuk mund të mos habisë kërkesa e ambasadorit rus kundër njohjeve të shtetit të Kosovës, i cili e paraqiti çështjen sikur njohja e Kosovës nga shtetet e tjera të botës do të thotë largim i gjithë pakicës serbe nga territori i Kosovës dhe pas kësaj deklaroi se presionet e Fuqive të Mëdha (perëndimore) për njohjen e pavarësisë së Kosovës mund të përballohen vetëm me Rusinë dhe aleatët e saj.
Së dyti, diplomacia ruse ndërmori një ofensivë të vërtetë presioni mbi qeverinë aktuale të Serbisë për ta penguar dhe shantazhuar atë që të mos pranojë planin e BE-së dhe të mos avancojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ambasadori paralajmëroi hapur qeverinë e Serbisë se nuk duhet të harrojë se “Rusia dhe Serbia janë aleate gjeopolitike”, që do të thotë se çështjen e Kosovës dhe të veriut të saj Moska i sheh si çështje të interesit të saj gjeopolitik dhe që qeveria e Serbisë duhet të ecë në linjën e këtyre interesave ruse.
Moska afishoi për herë të parë kërkesën që Rusia duhet të bëhet pjesë e formatit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së. Duke u bërë pjesë e këtij formati, diplomacia ruse jo vetëm pretendon një rol të ri në Ballkan, por edhe të kontrollojë dhe të ndikojë që ecuria e bisedimeve të shkojë në favor të interesave të saj gjeopolitike në rajon. Ambasadori rus e kritikoi publikisht qeverinë serbe pse ajo nuk e ka ftuar Rusinë që të marrë pjesë në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, duke treguar një ankth shtetëror rus dhe duke harruar se vetë Rusia ka votuar në OKB në 2010-ën që BE-ja të jetë organizatori dhe moderatori i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Këshilltari i shtetit në Federatën Ruse, Modest Kolarov, shkoi edhe më tej, duke kërkuar që Serbia t’i bëjë thirrje Rusisë që të jetë garante e çdo zgjidhjeje të arritur në dialogun Beograd-Prishtinë.
Së treti, presioni diplomatik rus mbi Beogradin po shoqërohet me një fushatë të hapur kundër BE-së dhe kundër orientimit të politikës zyrtare serbe për integrimin europian. Ambasadori rus deklaroi se Serbia duhet të bashkohet me forcën jetike të Rusisë, sepse BE-ja nuk mund t’i sigurojë asaj rritjen e shpejtë ekonomike. Ai përsëriti tezën e njohur të qeverisë ruse, se anëtarësimi i Serbisë në BE mund të dëmtojë marrëdhëniet e Rusisë me Serbinë dhe “kjo duhet të mbahet mirë parasysh”. Moska ka intensifikuar edhe presionin e hapur ekonomik, që manifestohet me vonimin e lëvrimit të kësteve të kredisë së madhe, të premtuar nga Vladimir Putin tre vjet më parë, dhe me modifikimet e panjoftuara ruse për rolin e Serbisë në gazsjellësin rus “South Stream”.
Përdorimi i çështjes së veriut të Kosovës si instrument gjeopolitik i Rusisë po bëhet në një kuadër të lexueshëm antishqiptar. Ambasadori i Rusisë qëllimisht zgjodhi të vijë në Mitrovicë dhe të mbajë panegjirike proserbe me rastin e 110- vjetorit të vrasjes në vitin 1903 të konsullit rus në Mitrovicë, i cili u dërgua nga shërbimi i fshehtë carist për të ndihmuar Serbinë kundër kërkesave dhe të drejtave të popullit shqiptar. Diplomacia ruse shfrytëzon data historike, që të pompojë urrejtjen nacionale dhe fetare serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës, sepse me fryrjen e kësaj urrejtjeje synon të mbajë të pazgjidhur konfliktin e ngrirë në veri të Kosovës. Kemi nga ambasadori rus shkeljen e normave, që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse shkon në një shtet tjetër në mënyrë të paligjshme dhe ushtron veprimtari të paligjshme, duke nxitur acarimet etnike të pakicës serbe me shtetin e Kosovës dhe me shqiptarët. Por këtu del një problem përtej kësaj. Kjo ka të bëjë me qeverinë e Kosovës, e cila nuk duhet të lejojë diplomatët e Rusisë, që nuk e ka njohur Kosovën, të hyjnë pa leje në territorin e saj dhe të ushtrojnë veprimtari armiqësore ndaj Kosovës dhe integritetit të saj territorial e shtetëror. Ambasadori rus në Serbi i ka plotësuar të gjitha kriteret për t’u shpallur “persona non grata” nga qeveria e Kosovës. Ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar vizitat e tjera provokative të tij në Kosovë, por edhe për t’i kujtuar diplomacisë ruse se qeveria, shteti dhe institucionet shtetërore në Kosovë mbajnë shënim aktet jomiqësore ndaj popullit shqiptar. Sepse memoria historike e kombit tonë ka nevojë jetike jo vetëm të regjistrojë, por edhe të shkundet nga letargjia. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›