Alegri: Barça? Nuk jemi për shëtitje
Rikthehet Champions League! Pas fazës paraeliminatore dhe pas shortit të hedhur në Nion, sot do të zbresin në fushën e lojës klubet më të mira të kontinentit që do të luftojnë për trofeun më presigjioz në Europë: Ligën e Kampioneve. Katër grupet e para që do të luajnë sot janë ato E, F, G dhe H, ky natyrisht superndeshja është ajo që do të zhvillohet në Barcelonë, në “Camp Nou”, ku djemtë e Guardiolës, kampionë të Spanjës dhe të Champions së sezonit të shkuar, do të presin klubin më të titulluar të botës, Milanin e Algerit. Por kjo ndeshje do të humbasë pak nga shkëlqimi i saj, pasi kuqezinjtë nuk do të kenë në dispiozicion yllin suedez, Zllatan Ibrahimoviç dhe brazilianin Robinjo. I pari vuan nga një tërheqje muskulore, i dyti vijon të jetë në infermieri që pas dëmtimit të pësuar disa ditë më parë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për një ndeshje të tillë, emocionet janë gjithmonë të pranishme. Këtë e di mjaft mirë edhe Alegri, trajneri i kuqezinjve që nuk e ka lëshuar “forfeit” ende. “Barcelona është skuadra më e mirë për momentin, por edhe ne jemi një ekip i mirë. Është e drejtë që të luajmë me kurajë. Barça ka shumë elementë në gjendje të bëjnë kthesën në një ndeshje, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë. Luajmë kundër një skuadre që vitet e fundit ka fituar shumë, por objektivi ynë është që të kalojmë turin,” ka konfirmuar trajneri livornez. Mes Barçës dhe Milanit në Europë ka barazi totale: të dyja ekipet kanë fituar nga katër ndeshje dhe kanë barazuar tre. Sidoqoftë, sfida më e nxehtë e tyre ka qenë padyshim finalja e Champions League e luajtur në Athinë në vitin 1994, ku Milani i Kapelos shpartalloi 4-0 blaugranat e Krojfit.
Tjetër çift interesant nga mbrëmja e sotme është edhe Çelsi – Bajer Leverkusen, e vlefshme për Grupin E. Skuadra e Villas Boash duket se është futur në shinat e duhura dhe në kampionat ka kapur ritmin e dy Mançesterëve. Përballë do të ketë gjermanët Dut, që sikundër edhe blutë e Londrës, nuk kanë pasur një start bindës në kampionat, por tani e kanë marrë veten dhe janë vetëm 2 pikë poshtë Bajernit kryesues.
Dortmund-Arsenal do të jetë një tjetër përplasje anglo-gjermane në këtë mbrëmje pas çifitit Çelsi-Leverkusen. Kampionët e Gjermanisë ende nuk e kanë gjetur ritmin e sezonit të shkuar dhe notojnë në mesin e tabelës, sikundër edhe Arsenali që pas shitjeve të Fabregas e Nasri, ende nuk ka gjetur një manovër bindëse sulmuese duke fituar vetëm në përballjen e fundit kundër Suonsit.
Lionel Mesi: Kujdes Milanin
“Ajo kuqezi, është një skuadër shumë e mirë me një sulm shumë të fortë. Nuk mund ta them që tani nëse do të përsërisim sukseset e sezonit të shkuar në Champions. Mund të them vetëm se te Barcelona ndjehem shumë mirë dhe se jam shumë i lumtur që ndjehem këtu dhe të kem mundësinë që të luaj me shumë si Ksavi e Injestra, që për mendimin tim, së bashku me Kristiano Ronaldon janë lojtarët më të mirë në botë. Ka qenë fat për mua të isha pjesë e të rinjve të Barçës. Aty të formojnë vërtet, diçka që po humbet në Argjentinë” ka deklaruar argjentinasi Lionel Mesi në prag të sfidës me Milanin.
Champions League
Sot
Grupi E
Çelsi – Leverkusen 20:45
Genk – Valencia 20:45
Grupi F
Dortmund – Arsenal 20:45
Olimpiakos – Marsejë 20:45
Grupi G
Apoel Nikosia – Zenit 20:45
Porto – Shakhtar 20:45
Grupi H
Barcelona – Milan 20:45
Viktoria Plzen – Bate 20:45
Nesër
Grupi A
Man Siti – Napoli 20:45
Vilareal – Bajern 20:45
Grupi B
Inter – Trabzonspor 20:45
Lilë – CSKA Moskë 20:45
Grupi C
Bazel – Otelul Galaci 20:45
Benfika – Man UTD 20:45
Grupi D
Ajaks – Lion 20:45
Dinamo Zagreb – Real 20:45