Elis Guri, mundësi shqiptar kampion bote për Bullgarinë
Mundësi shqiptar, Elis Guri është shpallur kampion bote, por për një komb tjetër, Bullgarinë. Në Kampionatin Botëror të Mundjes që po zhvillohet në Turqi nga 12 deri më 18 të këtij muaji, shkodrani 120 kilogramësh ka fituar medaljen e artë duke u shpallur kampion bote në kategorinë e tij. Elis Guri braktisi ngjyrat kuqezi për të garuar për flamurin bullgar pas një radhë kontradiktash me Federatën Shqiptare të Mundjes, por edhe për faktin se pesha e tij e madhe nuk i jepte mundësi të konkuronte për ekipin shqiptar. Elis Guri e mori lejekalimin nga KOKSH për të garuar nën ngjyrat bullgare në vitin 2008 dhe dy vjet më vonë arriti të merrte nënshtetësinë. Një vit pas kësaj arrin t’u dhurojë ar bullgarëve. Pas largimit të peshëngritësve në vitet ‘90 dhe atletes Mirela Manjani, mundësi Elis Guri është një tjetër sportist që largohet nga Shqipëria për të garuar për një shtet tjetër. Një tjetër mundës, Sait Prizreni pat kërkuar marrjen e nënshtetësisë australiane gjë që iu refuzua nga autoritetet australiane. Ikja e sportistëve shqiptarë e ka hapur siparin me peshëngritësit duke filluar me Pirro Dhimën i cili u largua për në Greqi dhe u shpall kampion bote.