E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alegri: Humbja e titullit? Njësoj si vetëvrasje!

SHKRUAN: Jeton Selimi 19-04-2011 11:28

Ndërkohë, presidenti zikaltër i lan duart me titullin kampion

Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit, është shprehur se skuadra tashmë e ka rrugën e lirë për të fituar titullin kampion në Serinë A dhe se 6 pikët avantazh ndaj vendit të dytë, Napolit, nuk duhen shpërdoruar. “Do të ishte vetëvrasje nëse nuk fitojmë titullin tashmë”, deklaroi Alegri menjëherë pas humbjes së Napolit mbrëmjen e djeshme ndaj Udinezes. “Gjashtë pikë avantazh janë shumë në këtë pikë të kompeticionit, por duhen edhe 5 ndeshje deri në fund dhe duhet të punojmë fort deri sa të kemi sigurinë matematikore. Të mërkurën luajmë gjysmëfinalen e Kupës së Italisë ndaj Palermos dhe duam që të fitojmë edhe këtë trofe. Asgjë nuk ka mbaruar”, u shpreh trajneri i kuqezinjve në emisionin Controcampo. “Nëse Milani do të shpallet kampion, nuk do të jetë vetëm falë Ibrahimoviçit. Do të jetë edhe titulli i lojtarëve si Odo, Jankulovski, Straser dhe Inzagi”, përfundoi Alegri.

Morati: Interi është në krizë

“Është një moment krize si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore. Nuk kemi qenë në lartësinë e duhur në ndeshjet më të rëndësishme. Leonardo po bën të pamundurën, por është vështirë që të frenohet ky moment kaq i vështirë”, deklaroi paraditen e djeshme Morati. “Leonardo punoi shumë mirë deri në derbi, por pushimi i kombëtareve na bëri keq sepse lojtarët u kthyen shumë të lodhur nga ndeshjet përkatëse”, shtoi presidenti zikaltër.

Mbi zërat që qarkullojnë në Itali për një rikthim të mundshëm të Jose Mourinho në stolin zikaltër, Moratti tha: “I kam lexuar në gazeta këto gjëra, por nuk është aspak e vërtetë.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›