E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleksandr Lebedev Në gjurmët e gazetave

U bë i pasur në Rusinë e viteve ‘90. Sot në vend që të blejë jahte, shtëpi luksoze apo skuadra futbolli, mendon të investojë në shtypin anglez

Pas një pamje të thjeshtë shpesh fshihet ndonjë mesazh. Me hap sportiv Aleksandr Lebedev ngjitet në katin e dytë të restorantit të tij të preferuar japonez, në një nga rrugët më shik të Londrës. Nga ajo që duket, restoranti është për njerëz të veshur me kostum dhe këpucë klasike, por për manjatin rus, që nuk e lëshon “Blackberry”-n e tij nga dora, kjo nuk ka rëndësi. Ai ka veshur atlete dhe një palë pantallona të thjeshta. Kur fotografi i kërkon të marrë pozë, miliarderi 50-vjeçar i përgjigjet: “Nuk jam veshur në mënyrën e duhur”. Mesazhi është i qartë: Lebedev nuk do të ngatërrohet me miliarderët e tjerë rusë. Nuk i pëlqejnë gjërat vulgare, është një njeri i besueshëm, antikonformist dhe i përgjegjshëm. Për momentin po investon mbi gazetat. E bën për para lind pyetja? Askush nuk e di, duke qenë se basti është i rrezikshëm. Në janar të vitit 2009 i çuditi të gjithë kur bleu “Evening standard”, një institucion i shtypit britanik prej kohësh në krizë. Qëllimi i tij është që ta shndërrojë në një gazetë pa pagesë dhe të mos kënaqet me një produkt mediokër, siç janë shpesh gazetat falas. “është një ide revolucionare”, thotë i entuziazmuar drejtori i ri i “Evening standard”, Geordie Greig, që është zgjedhur personalisht nga Lebedev. “Kemi një plan për të shëndoshur financat brenda tre vjetëve dhe për këtë duhet të mbështetemi edhe te hallka të tjera”. “Evening standard” do të përfitojë edhe nga mbyllja e dy gazetave të tjera falas për t’u bërë lider i këtij sektori. Botuesi i ri ka pushuar nga puna 20 gazetarë, nga 180 të tillë gjithsej. “Një vit më parë tirazhi ishte 23 mijë kopje. Tani jemi në 600 mijë dhe mungojnë vetëm 150 mijë për të mbuluar gjithë Londrën”, shpjegon Lebedev.

E rëndësishme është cilësia

Po sa mundësi suksesi ka plani i tij? Për të kaluar krizën Lebedev ka shpenzuar 28.5 milionë euro dhe ka në projekt të investojë edhe 30 të tjerë. “është shpejt të bëjmë parashikime. Roli im është të financoj. Dua që artikujt të jenë me shumë cilësi, megjithatë nuk futem në zgjedhjet redaksionale”. Lebedev tashmë i ka hedhur sytë drejt “Indipendent”, një tjetër gazetë në krizë. Disa ekspertë të shtypit të shkruar janë të bindur se shndërrimi i saj në një të përditshme falas do të kërcënonte mbijetesën e gazetave të tjera. Interesi i Lebedevit për shtypin anglez i takon vitit 1987, kur ishte një funksionar i KGB-së i vendosur në ambasadën sovjetike në Londër. “Punoja në departamentin e marrëdhënieve me jashtë, por kisha detyra të tjera nga ato të agjentëve të tjerë sekretë”, thotë Lebedev, si për të krijuar distancë nga ajo botë. Sipas versionit zyrtar, kalonte gjithë kohën duke lexuar gazetat britanike, që nuk mund t’i gjeje në ish-Bashkimin Sovjetik, nën kamuflimin e këshilltarit ekonomik. Aktualisht, gjithmonë në fluturim nga një avion te tjetri, Lebedev “mbron të drejtën për të thënë të vërtetën”. Sipas tij, djali i dy mësuesve që i përkisnin nomenklaturës moskovite, “gazetaria mund të ketë një vlerë letrare”. Me siguri ky nuk është rasti i “Moscovskij Korrespoindent”, një e përditshme që më 19 prill të 2008-s Lebedev vendosi ta mbyllte, pasi kishte publikuar një artikull shokues mbi historinë e dashurisë mes Putinit dhe një gjimnasteje shumë të re. Që nga viti 1996 Lebedev është edhe aksionist me një kuotë prej 39 për qind i gazetës investigative ruse “Novaja Gazeta”. Gazeta ku punonte gazetarja Ana Politkovskaja. Pas vrasjes së saj, Lebedev ofroi një shpërblim prej 1 milion dollarësh për arrestimin e vrasësve. “Lebedev është një humanist i iluminuar, një antistalinist. Një rus europian, një poliglot. Me pak fjalë një specie e rrallë”, thotë drejtori i “Novaja Gazeta”, Dimitriv Muratov. Megjithatë raporti i Lebedevit me pushtetin rus mbetet i dykuptimtë. “Ka dashur gjithmonë të japë idenë se është një liberal, por gjithmonë ka pasur mbështetjen e konservatorëve, si ish-kryeministri Viktor Cernomyrdin”, thotë një ish-ortak i tij në biznes. Aleksandr është i bindur se burokracia e pengon Putinin të reformojë vendin. Por, që kur Mikhail Khordorkovskij, ish-padroni i “Yukos”, përfundoi në burg, miliarderët rusë qëndrojnë larg politikës. Përkundrazi Lebedev vendosi ta provojë. Kandidoi për kryetar bashkie të Moskës në vitin 2003, por pa sukses. Pastaj u zgjodh deputet i Dumës. Në vitin 2008 donte të merrte pjesë në zgjedhje për t’u bërë kryetar bashkie i Socit, qytetit ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike Dimërore në 2014-n, por kandidatura e tij nuk u pranua. Sot mendon të krijojë një lëvizje të re bashkë me Mikhail Gorbaçovin, babanë e perestrojkës. “është modeli dhe frymëzimi im”, shprehet ai.

Pasuri e fituar

President i “National rezerve Corporation”, Lebedev, e fitoi pasurinë e tij falë rinegociimit të borxhit të jashtëm të Rusisë së viteve ‘90. Investimet e tij shkojnë nga hotelet luksoze në Itali deri tek aeronautika në Gjermani. Prej pak kohësh është rikthyer nga Botswana, ku dëshiron të blejë toka për të organizuar safari. Po ashtu është krenar të prezantohet si “prodhuesi më i madh i patates në Europë”, duke qenë se posedon 45 mijë hektarë terreni agrikulturë në Rusi dhe Ukrainë. çdo vit në Londër organizon një ballo bamirësie në emër të fondacionit “Raissa Gorbaciova”. Në Shën Pjetërburg ka ndërtuar një qendër shumë moderne, ku kurohen fëmijët e sëmurë me kancer. Evgenij, 29 vjeç, djali dhe ortaku i tij në biznes, ka një rubrikë plot me kontakte për donatorët e mundshëm. është një djalosh i bukur me mjekër, i lindur në ambientet mondane, që interesohet për artin bashkëkohor, modën dhe teatrin. Lebedev ka krijuar edhe një qendër kulturore ruse në “Cateau des forgets”, një kështjellë afër Parisit që e ka restauruar plotësisht. Megjithatë do i pëlqente që francezët të tregonin më shumë mirënjohje dhe vëmendje për qendrën e tij. “Kisha ftuar personalitete të kalibrit të dramaturgut Piotr Fomenko, të violinçelistit Rostrpovic dhe të aktores Fanny Arant për një darkë gala për nder të Gorbaçovit”, thotë. Por për të ngjallur më shumë interes duhej të kishte blerë ndonjë gazetë franceze.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›