E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta Agim Qirjaqi

Aktori mbyll sytë pas një sëmundje të rëndë në moshën 60-vjeçare. Homazhet bëhen sot nga ora 13.00-14.00 në Teatrin Kombëtar

Pas një kohe të gjatë lëngimi, Agim Qirjaqi ndahet nga jeta. Aktori i njohur i ka mbyllur sytë rreth mesditës së djeshme, i rënduar së tepërmi nga sëmundja. Ai vuante nga "Aizaimer", thënë ndryshe parkinson i avancuar, simptomat e së cilës filluan t’i shfaqen gjatë 2006-s. Muajt e fundit, pas disa krizash të rënda, mjekët konstatuan se kishte edhe kancer në kocka. Qirjaqi po jetonte ditët e fundit, ndërsa kolegë të tij, por edhe njerëz të teatrit mund ta kujtojnë para dy vjetësh imazhin e tij të përhumbur teksa afrohej në portën e Teatrit Kombëtar. Në heshtje, ngadalë, me sytë që nuk dihet se ç’shikonin afrohej drejt skenës, së cilës i kushtoi jetën. E hasnim thuajse çdo ditë, edhe kur zinte një qoshe për të ndjekur konferencën e ndonjë shfaqjeje teatrore të rëndësishme, i ftuar të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar. Kohët e fundit, as këtë gjë nuk mund ta bënte më. Kolegët dhe miqtë e dinin se i kishte ditët e numëruara, ndërsa nuk mund të bëhej asgjë për shërimin e tij. Agim Qirjaqi u lind në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (drejtori i shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977-n.

Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu fillon të japë mësim mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdon edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë. Më 1989-n largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2-vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas here kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit. Krahas krijimtarisë, përkthen edhe drama. Në vitin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar. Rolin e fundit e luajti më 2006-n, në pjesën “Pjata prej druri”, me regji të Gëzim Kames ku interpretoi në krah të aktorit të ndier Sulejman Pitarka.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›