E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nancy Pelosi, gruaja më e fuqishme në historinë e SHBA-së?

është 70 vjeçe, me një karrierë të pasur politike me ulje e ngritje. Aktualisht është zonja e parë që drejton Kongresin Amerikan dhe sapo ka korrur një fitore që do të shënjojë gjithë Presidencën e Obamës

Disa vjet më parë, republikanët e përshëndetën ngritjen e Nancy Pelosi-t në rangjet më të larta të Partisë Demokratike si një “dhuratë politike”. Sipas vlerësimeve të armiqve të saj, ajo ishte një liberale ekstremiste, e një lloji dhe natyre që nuk parapëlqehej nga amerikanët e vërtetë. Nancy ishte mbështetëse e të drejtave të homoseksualëve, çështjeve feministe dhe politikave që etiketohen si “socialiste”. çka ishte më e keqe, ishte fakti se në prag të sulmeve të 11 shtatorit, ajo ishte kundër një sulmi të mundshëm në Irak, duke pasur pas shpine një histori kundërshtish dhe për konflikte e luftëra të tjera si ato të mëparshmet me Irakun dhe Kuvajtin. Në këtë pikë republikanët vunë buzën në gaz të vetëkënaqur për zgjedhjen e demokratëve për ta vendosur Pelosi-n në pozicionin e gruas së parë që do të drejtonte Kongresin e Amerikan në vitin 2002. Në fakt me këtë mendim të republikanëve u bashkuan edhe disa nga demokratët më në zë të partisë. Ndër të tjera ajo mbahej mend edhe për sharjen publike që i kishte bërë dikur Bush plakut duke i thënë “trap”, ndërkohë që të birit, kur erdhi në pushtet, do t’i adresonte të tjera sharje më të rënda. Për shumë analistë politikë Pelosi ishte “një përfaqësim i anakronizmit partiak, që duhej shmangur me çdo kusht nga demokratët”. 8 vjet më pas, Pelosi është shndërruar sërish në objektiv goditës për republikanët, pasi bëri të pamundurën për t’i siguruar Presidentit të saj fitore në Kongres në votën për ligjin e reformës shëndetësore. Por ndryshimi me 8 vitet e shkuara është se tashmë ata që e quajnë Pelosi-n “anakronike” janë shumë të paktë. Përmes disa zgjedhjeve dhe një lufte aspak popullore, Pelosi ka qenë instrumentale në drejtimin e demokratëve për rimarrjen e Kongresit dhe më pas fitoren e shumicës. Tani, pasi ka farkëtuar konsensusin mes demokratëve, të cilët kishin krijuar shumë çarje, konsensus që pa miratimin e njërit prej ligjeve më të rëndësishme në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, Pelosi po rikonsiderohet si një nga gratë më të fuqishme në historinë amerikane dhe pa dyshim kryetarja më e fuqishme që ka pasur Kongresi këto 100 vitet e fundit. “Unë gjithsesi nuk e marr personalisht një vlerësim të tillë. E marr si një vlerësim për të gjitha gratë, pasi si gruaja e parë sigurisht që doja të tregoja që gratë janë të afta për ta kryer një punë dhe detyrë të tillë të vështirë”, ka deklaruar ajo në një intervistë të fundit të dhënë në një televizion amerikan.

Pelosi, në njëfarë mënyre, është përgatitur për të përballuar peshën e një detyre të tillë që kur erdhi në jetë, 70 vjet më parë. Ajo u zgjodh në një moshë shumë të vonë në një post zyrtar, vetëm kur ishte 47 vjeçe, por ndërkohë ishte rritur në një familje me shumë brumosje politike në periferinë e Baltimores. I ati i saj, Thomas d’Alessandro, me origjinë italiane, ishte anëtar i Kongresit dhe kryebashkiak i Baltimores. Ai ishte mbështetës i zjarrtë i drejtësisë sociale dhe besonte thellësisht në fuqinë e qeverisë për të përmirësuar jetën e njerëzve, veçanërisht të atyre që ishin më shumë nevojtarë se të tjerët. Pelosi ndoqi nga afër mënyrën se si punonte i ati, gjithë makinën politike që ndodhej nën drejtimin e tij. Ajo shihte se si ngriheshin dhe forcoheshin aleancat, si shpërbleheshin njerëzit, si planifikoheshin fushatat dhe se si garantoheshin politikat që ishin në të mirë të njerëzve. Ishte babai i Pelosi-t ai që e prezantoi atë për herë të parë me artin e të bërit kompromise, por edhe me rastet kur një njeri me reputacion dhe me karakter duhet që të qëndronte fort në të veten, në mënyrë të papërkulur. Ishin mësime të cilat ajo nuk do t’i vinte në përdorim deri në momentin kur u martua me një financier multimilioner për t’u zhvendosur në San Francisko dhe për t’u përfshirë më pas në politikën e Partisë Demokratike, ndërkohë që solli në jetë dhe rriti 5 fëmijë. Pelosi kishte reputacion për dy pika të forta të saj: farkëtimin e një homogjeniteti në përkrahjen e Partisë Demokratike nga ana e popullsisë shumë heterogjene në Kaliforni dhe për rolin e saj si fondmbledhëse. Këto e ndihmuan që të shkonte deri në lidershipin rajonal të partisë dhe më pas në vitin 1987 të pozicionohej për të fituar një vend në Kongres, vend që e mbajti përgjatë 10 mandateve, duke fituar gjithmonë me një shumicë të admirueshme. Pasi shkoi në Uashington, Pelosi vazhdoi të merrej me veprimtaritë e mbledhjes së fondeve dhe jo vetëm që për disa vite me radhë arriti të mblidhte mbi 100 milionë dollarë, por bëri për vete shumë njerëz të fuqishëm që do ta ndihmonin në ngritjen e mëtejshme në rrugët e pushtetit në Uashington. Në vitin 2002 ajo u bë liderja e partisë së saj në Kongres, duke arritur që të krijonte një unitet të paparë më parë mes demokratëve, veprim që i shqetësoi shumë republikanët.

Muajt e fundit demokratët kanë akuzuar vazhdimisht republikanët për shndërrimin e tyre në një parti të “jo”-së, për refuzimin e mbështetjes së shumë projektligjeve pa dhënë ndërkohë një alternativë më të mirë. Një tendencë e tillë u duk qartas fare në rastin e projektligjit për ndryshimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në votimin e tij në të dyja dhomat, atë të Kongresit dhe të Senatit. Në të dyja votimet republikanët votuan të gjithë së bashku kundër ligjit të demokratëve dhe si pasojë kundër reformës. Në këtë moment ishte Pelosi, e cila me ndërhyrjen e saj bëri që edhe demokratët të unifikonin zërat.

Kur Presidenti George Bush propozoi reformimin e sigurimeve shoqërore, Pelosi i nxiti demokratët që të shmangin debatin publik në lidhje me këtë çështje, sepse do të kishte qenë e vështirë që të fitohej çështja. Ajo nuk ofroi ndonjë plan alternativ, por preferoi që të kanalizonte energjitë e partisë në përgatitjen e një sulmi ballor ndaj motiveve të Bushit. Si pasojë, reforma e sistemit të sigurimeve shoqërore dështoi. Pelosi ka kërkuar dhe shpesh ia ka arritur qëllimit, në krijimin e një fronti të unifikuar të demokratëve kundër ligjeve të propozuara nga republikanët. Pelosi është shquar gjithmonë për thënien e gjërave troç dhe ndonjëherë edhe në kundërshtim me rrjedhën e gjërave në Amerikë. Kështu ka qenë kundër që në fillim për luftën në Irak. Pak para fitores së dytë presidenciale të Bushit në vitin 2004, Pelosi lëshoi një sulm të ashpër ndaj Presidentit në një intervistë në media. “Bush është një lider që nuk ka kompetencë. Në fakt ai nuk është aspak një lider. Ai është një person që nuk ka një gjykim, që nuk ka përvojë apo njohuri në lidhje me çështjet për të cilat i duhet të vendosë. Jo për të qenë personale me këtë njeri, por kapaciteti personal i këtij Presidenti për të drejtuar vendin nuk ka ekzistuar kurrë. Për të qeverisur duhet që të kesh një gjykim. Për të pasur gjykim duhet të kesh njohuri dhe përvojë. Ai nuk ka as njërën, as tjetrën”. Kjo lloj mënyre e drejtpërdrejtë e të shprehurit iu duk disave si qëllim në vetvete për të rënë në sy, apo një mbështetje e ideologjisë ekstreme. Por në periudhën kur Bush u largua nga detyra, shumë amerikanë e kuptuan se Pelosi kishte të drejtë në deklaratat e saj të viteve më parë në lidhje me Bushin. Në atë periudhë demokratët fituan edhe kontrollin e Kongresit dhe Nancy Pelosi u bë kryetarja e parë femër e Dhomës së Përfaqësuesve. E djathta e konsideron atë si një feministe radikale për qëndrimet e saj të prera dhe të njohura ndaj diskriminimit të grave. Ndërkohë ajo ka qenë dhe është një mbrojtëse e flaktë e të drejtave të homoseksualëve. Vitin e kaluar ajo shkaktoi shumë debate kur arriti që të përfshihej në një grindje publike me CIA-n në lidhje me mënyrën e mangët të informimit që kishte pasur nga agjencia për çështje të ndryshme të rëndësishme, përfshi edhe torturat. Kundër saj dolën disa emra të rëndësishëm të politikës, të cilët i thanë se ajo gënjente e madje kërkuan edhe ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për të shqyrtuar pozicionin e saj. Por edhe kësaj stuhie të fortë Pelosi arriti që t’i mbijetonte. Pjesërisht, për shkak të rrugës që morën ngjarjet për vetë CIA-n, e cila u detyrua të pranonte që kishte dezinformuar Kongresin në lidhje me disa aspekte të luftës kundër terrorizmit. Shumë analistë mendojnë se ndërsa ajo është një politikane e të majtës ekstreme është përpjekur që këtë qëndrim të mos ta mbajë në rolin që ka si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Një qëndrim i tillë e ka pozicionuar mjaft mirë edhe në administratën e Obamës dhe suksesi i fundit i votës për reformën e kujdesit shëndetësor është pa dyshim shumë i madh. Merita e Pelosi-t nuk është vetëm ajo e mbledhjes së votave për kalimin e ligjit, në një moment kur shumëkush mendonte se ligji ishte tashmë i vdekur, pasi demokratët humbën vendin e senatorit Kenedy, por ajo luajti një rol kyç për këmbënguljen e saj dhe veçanërisht për mbështetjen që i dha Obamës në një moment shumë të vështirë të presidencës. Ja çfarë tha Pelosi një ditë para votës në Kongres: “Ne jemi këmbëngulës. Do të tentojmë të hyjmë nga dera. Nëse ajo është e mbyllur do të provojmë të futemi nga gardhi, nëse ai është shumë i lartë, do të mundohemi të kalojmë nën të, nëse kjo nuk funksionon, atëherë do të hidhemi me parashutë e kështu me radhë derisa t’ia dalim. Një gjë është e qartë, që Kongresi do ta miratojë ligjin e reformës së kujdesit shëndetësor për të mirën e popullit”.

Sipas shumë analistëve, Pelosi arriti që të lexonte hartën politike të momentit, në një mënyrë shumë të mirë dhe të saktë. Triumfi i saj është triumfi i një loje të brendshme të gjatë. Po ka nga ata që sigurisht e vënë në dyshim karakterizimin e saj si drejtuesja më e fortë e Kongresit e këtyre 100 viteve të fundit. Sipas tyre, Pelosi është me fat që ka një shumicë demokrate, e cila ka një President demokrat e liberal që e mbështet. Megjithatë për momentin zonja 70-vjeçare po gëzon fitore, para se të rinisë sërish betejat e ardhshme të së ardhmes së afërt në Kongres.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›