Mjaft!: Të shokuar nga videoja greke

Tiranë, 27 mars, NOA - Lëvizja Mjaft! është shprehur e shokuar nga demonstrimi i hapur racist i ushtrisë greke përballë institucioneve më të larta të vendit fqinj, i cili u publikua nga agjencia NOA ditën e djeshme.
Në një deklaratë të saj, kjo lëvizje bën me
dijeni se tonet ksenofobe dhe thellësisht fyese të forcave ushtarake helene
janë dëshmi e qartë e një racizmi të skajshëm që manifestohet jo vetëm ndër
individë e grupime të shkëputura të shoqërisë greke, por tashmë në formë të organizuar
në rang institucional.
Sipas Lëvizjes Mjaft! tone të tilla ksenofobie jo vetëm që nuk i shërbejnë
miqësisë dhe bashkëpunimit mes fqinjëve, por mbjellin fara urrejtje dhe
shkaktojnë destabilitet në rajon, si dhe vënë në pikëpyetje standardet e
integrimit të rajonit në Bashkimin Europian,
për sa kohë që një anëtar i kësaj bashkësie fyen dhe denigron fqinjët e tij,
Shqipërinë, Maqedoninë dhe Turqinë.
E bën këtë ngjarje edhe më skandaloz fakti që forcat ushtarake të një anëtar të NATO-s i drejtohen me kërcënime makabre vendeve partnere të Aleancës, shtojnë aktivistët e lëvizjes Mjaft!.
Duke përfunduar se institucionet më të larta qeverisëse të Greqisë të tregojnë gatishmëri të lartë bashkëpunimi dhe aftësi për të parandaluar përsëritjen e të tilla akteve poshtëruese, tashmë të kthyera në rutinë.
n.e/NOA