E Diel, 1 Nëntor 2026

Alergjitë, shtohen rastet. Virozat fluks në Pediatri

TIRANE-Numri i personave të prekur nga alergjitë, në stinën e pranverës është rritur ndjeshëm. Shkaku kryesor janë polenet, të cilat janë burimi kryesor i shfaqjes së alergjive. Sipas mjekëve specialistë nëse këto alergji nuk mjekohen si duhet kalojnë në astmë ndaj është shumë e rëndësishme që të bëhen kontrolle në raste alergjie për të gjetur se nga çfarë vuan pacienti dhe për të marrë kurimin e duhur. "Alergjitë vijnë duke u shtuar. Gjithnjë e më shumë shohim që prek fëmijët e vegjël. Shenjat janë lotim, teshtima, bllokim të hundëve, kollë të thatë, kruajtje e lëkurës", - shpjegojnë specialistët e alergologjisë të theksojnë se kurimi sa më i shpejtë i alergjive ndihmon në parandalimin e astmës bronkiale.
Por një tjetër problem që ngrihet për vendin tonë thekson sot e perditshmja Gazeta Shqiptare është se për këtë probleme mjeket e ambulancave kanë pak informacion. Ajri i rënduar dhe i ndotur, por edhe ndryshimi i shumë formave e jetesës ka bërë që gjithnjë e më shumë të kemi fëmijë të moshave pediatrike të prekur nga alergjitë. Shfaqja e kësaj sëmundjeje është karakteristikë për moshat e reja dhe nëse nuk kurohet mirë vazhdon gjatë gjithë jetës.

Virozat
Ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve të prekur nga virozat e stinës. Fëmijët e moshave pediatrike kanë qenë më të prekurit. Mjekët thonë se këto viroza kanë sjellë komplikacione në organizëm, në rrugët e frymëmarrjes, por fatmirësisht pa pasoja të rënda. Temperatura e lartë ka qenë një nga simptomat kryesore. "Ka një numër të konsiderueshëm paraqitjesh në ambulancën e pranimit. Edhe tani kemi viroza që prekin më shumë traktin e sipërm respirator, ku hyjnë rinofaringitet dhe ndonjëherë edhe infeksionet bakteriale të rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore. Por kemi edhe infeksione të traktit më të poshtëm respirator, bronkopneumonira" - shprehet Rajda Petrela, mjeke pediatre. Përballë këtyre virozave, mjekët japin këshillat e nevojshme për prindërit. Ata shprehen se nuk duhet të përdoren antibiotikët pa recetën e mjekut. "Kur ka raste që fëmijët janë të sëmurë me lie, mundësisht t'i izolojmë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mbrojmë kontaminimin e fëmijëve të tjerë. Nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë antibiotikë pa kriter, qoftë edhe përdorimi i antipiretikëve pa kriter, pa këshillën e duhur se mund të ketë edhe toksikime nga të tilla gjëra si p.sh, nga paracetamoli ose të tjera preparate" - shprehet Petrela.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›