Berisha: “Rruga e vetmisë”, rruga e fundit politik për Edi Ramën
Kryeministri Berisha vazhdon turin e prezantimit të kandidatëve të mazhorancës në Devoll
Kryeministri Sali Berisha, në vijim të axhendës së takimeve, në kuadër të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, u takua me qytetarë të Devollit, ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatin e këtij koalicioni për kryetar të kësaj bashkie, Valter Miza. Kryeministri garantoi qytetarët e Devollit se investimet në bashkinë e në komunat e tij do të shumëfishohen, do të bëhet çdo investim që nxit agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve të kësaj zone dhe ftoi fermerët e këtij rrethi, në të cilin në katër vitet e shkuara janë subvencionuar 400 hektarë pemëtore, ta katërfishojnë këtë sipërfaqe.
Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të Devollit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore, shfrytëzoj rastin në këtë ditë të bekuar të uroj nga Devolli të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë dhe të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar Pashkën, ditën e rilindjes, të shpresës, besimit dhe të së ardhmes.
Sot jam këtu për t’u përulur me nderimin më të madh, me respektin më të thellë, mirënjohjen e pakufishme ndaj secilit prej jush, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë Partisë Demokratike, qeverisë e mazhorancës sonë këto vite, por Partisë Demokratike që nga themelimi i saj e gjer më sot. Me këtë rast, dua t’ju garantoj se çdo projekt që ju do të hartoni katër vitet që vijnë, me qeveritarët tuaj vendorë, me zotin Valter Miza dhe të gjithë kryetarët e komunave, do ta shndërrojmë në realitet të plotë.
Gjatë këtyre viteve në liri, ju, devollitet e devollinjtë, keni dëshmuar në mënyrën më bindëse, më mahnitëse se çfarë mund të bëjë qytetari i lirë me mundin, djersën, përkushtimin, dashurinë, ndershmërinë e dinjitetin e tij. Ju po ndërtoni këtu, në Devoll, çdo ditë, çdo javë, muaj e vit Devollin europian, Devollin e begatë, Devollin e të ardhmes. Kjo rrugë nuk ka qenë një rrugë e lehtë, nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë. Kjo rrugë ka pasur e ka lodhje e mundime, ka rrudha e pluhur në fytyrë e në ballin tonë, ka sakrifica, por kjo rrugë ka dinjitet të madh, ka shpresë të madhe, ka ndryshim të madh, ka besim të madh, ka suksese të vërteta. Në këtë rrugë, ju, qytetare e qytetarë të Devollit, të Korçës e mbarë Shqipërisë, jeni shndërruar në qytetarët e suksesit, qytetarë të ndryshimit dhe integrimit.
Katër vitet që shkuan, ne kemi investuar në Devoll, dhjetëra herë më shumë, se në të gjithë periudhën e qeverisjes së mëparshme. Ju garantoj se katër vitet që vijnë, investimet në bashkinë e në komunat tuaja do të shumëfishohen. Në Devoll nuk do të ketë as edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar, fshatrat dhe qyteti do të kenë ujë 24 orë dh shkolla moderne të standardeve evropiane, në të gjithë zonën tuaj. Do të bëjmë gjithçka për të nxitur agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve tuaja, do të bëjmë gjitha për të tërhequr investime të mëdha në qytetin tuaj. Devolli turistik, Korça turistike është një nga objektivat tona më madhore. Ndaj ne po lidhim të gjitha zonat turistike tuaja me rrugë automobilistike nga Liqenasi në Voskopojë dhe së shpejti, me unazën që ndërtojmë do të shkojë tek burimet e Devollit, e cila bën që ky vend i mrekullueshëm të ketë mundësi të mëdha turistike, në të gjitha anët e tij.
Vëllezër e motra
Në katër vite, në rrethin e Devollit kemi subvencionuar 400 hektarë pemëtore, mollë e dru të tjerë frutorë. Ftoj fermerët e Devollit që në katër vitet që vijnë ta katërfishojnë këtë sipërfaqe. Prodhimet tuaja janë më të mirat, prodhimet tuaja i blejnë të gjithë.
Ne mblidhemi sot, në këtë shesh, krenarë me njëri-tjetrin, krenarë me punën që kemi bërë, me arritjet që kemi realizuar. Vite më parë ne ishim vend i shkëputur nga bota, sot jemi vend anëtar i NATO-s. Vite më parë, ne ishim vend i rrethuar me tela me gjemba, sot lëvizim të lirë në mbarë Europën. Vite më parë, ne ishim vend i panjohur në hartën e turizmit botëror, këtë vit jemi destinacioni kryesor turistik i planetit. Vite më parë, në mbarë vendin kishte gjithsej 2400 kilometra rrugë të asfaltuara, vetëm në 5 vite kemi asfaltuar, ndërtuar e rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë, në të katër anët e Shqipërisë. Në qarkun tuaj, ndërtuan autostradën Korçë-Qafë Plloçë, po ndërtojmë autostradën Qafë Plloçë-Qukës, po ndërtojmë autostradën Elbasan-Tiranë, me të cilat ne afrojmë Devollin me Tiranën, së paku, një orë e gjysmë më shpejt.
Këto vite, ne ia dolëm që ekonominë shqiptare të falimentuar ta shndërrojmë në ekonominë e vogël më entuziaste, më vibrante në kontinent, ekonominë që tre vite me radhë kryeson rritjen ekonomike në Europë. Ne ia dolëm të dyfishojmë në përputhje me premtimet tona, çdo pension të fermerëve shqiptarë dhe i garantoj ata se rritja do të vazhdojë. Ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogat e mesme, të ulim papunësisë nga 18 në 12 përqind, të ulim varfërinë nga 18 në 12 përqind, të ulim varfërinë e skajshme nga 4.3 në 1.3 përqind. Prapë në rrugën tonë ka mundime, ka papunësi, ka njerëz në varfëri, ka sërish njerëz në mjerim, por ata çdo ditë vijnë duke u pakësuar. Reformat tona, puna në tërësi e qytetarëve shqiptarë bëri që Shqipëria, e cila 20 vjet më parë renditej në vendin e 3 a 4 në botë me të ardhura të ulëta, sot është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe në vitin 2017, ajo do të jetë në grupin e vendeve me të ardhura të larta.
Pra, kjo është të dashur devollite e devollinj alternativa jonë, alternativë, e cila ka në epiqendër juve, mundin, djersën, përkushtimin, dinjitetin, mendjen dhe vizionin tuaj e të familjeve tuaja. Në këtë alternativë ka ven për çdo shqiptar, i cili i beson ndryshimit, i beson vetes, i beson familjes së tij, i beson komunitetit të tij. Ndaj është rasti të ftoj të gjithë devollinjtë të bashkohen në nismën tonë, të bashkohen në alternativën tonë. I garantoj se do të nderohen. Dyert i kanë të hapura dhe do të priten me nderime e respekt të plotë. Janë të mirëseardhur.
Krahas kësaj alternative, është edhe alternativa që një herë nisi si alternativa Fajin e ka Saliu, herën tjetër bitisi rruga e vetmisë dhe në fund do ta shohim, fundi i ri i zotit Edi Rama. Se cila ishte e vetmja rrugë, gjeneratës sonë i kujtohet shumë mirë. Vërtet zoti Edi Rama e mori këtë hua nga etërit e vet, natyrisht, nuk ka ndërmend këtu të rikthej këtu atë kohë që nuk mund ta rikthejë kurrë. Por cila ishte për secilin prej jush, për secilin shqiptar, këto katër vjet, alternativa e rrugës së vetme? Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, e jashtëzakonshme për të shkelmuar mbi votën tuaj, mbi vullnetin tuja të lirë. Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, përpjekje e jashtëzakonshme, për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO. Alternativa e rrugës së vetme ishte një përpjekje e madhe, përpjekje çnjerëzore, për të bllokuar e futur vizat tuaja në kuti, ishte një përpjekje e madhe, përpjekje çnjerëzore, për të bllokuar rritjen e rrogave e pensioneve, për të bllokuar projekte e mëdha infrastrukturore, për të votuar kundër çdo ligji, vendimi, ndihme, përpjekjeje e amnistie të bërë në interesin e qytetarëve shqiptarë. Alternativa e rrugës së vetme është alternativa që ju kurrë nuk e meritoni.
Sot jemi në ditë të bekuar. Për secilin për ne, rrugë të vetme kemi vetëm rrugën e Zotit. Atij i falemi ne. Kurse Zoti për ne, na ka dhënë secilit rrugën tonë dhe në këtë rrugë secili prej nesh ndërton me mundësitë e tij, me mendjen tonë, të ardhmen. Ne jemi arkitektë të së ardhmes sonë, të familjes sonë. Në rrugën e lirisë, secili ka rrugën e tij, ndërsa për shokun Edi Rama, rruga e vetme është vetë kryetar bashkie, sepse tek bashkia ka lugën e artë, vetë kryetar qeverie, sepse tek kryeministri ka ëndrrën e artë, nuk do t’i plotësohet ndonjëherë. Rruga e vetme është kryetar partie, sepse tek partia ka peshkun e artë, i cili po e çon të sigurt drejt një fundi të merituar, po ecën i sigurt drejt banesës së harresës, drejt shtëpisë së të shkuarës. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë. Ndaj në 8 maj ju ftoj ju, ftoj të gjithë devollitet e devollinjtë, të gjithë shqiptarët të votojmë për veten tonë, për fëmijët tanë, për familjen tonë, për alternativën e qytetarit, për Valter Mizën, për kandidatët e kësaj alternative, të votojmë për Devollin evropian, Shqipërinë evropiane, për realizimin sa më shpejt të ëndrrës së bukur europiane të fëmijëve tanë, të brezave që vijnë.