Besimtarët e Krishterë në mbarë botën kremtojnë festën e Pashkëve

Mesha e Pashkëve në Vatikan, Papa Benedikti: Të mos flasësh për krijimin, do të thotë të keqkuptosh vetë historinë e Zotit me njerëzit
UPDATE- Mbrëmjen e kaluar, në prag të Pashkëve, Papa Benedikti XVI në predikimin e tij gjatë meshës së mbajtur në Kishën e Shën Pjetrit, mes të tjerash foli për funksionin e Kishës, dashurinë dhe arsyen që krijuan botën. “Nëse dikush do të pyeste, a është vërtetë e rëndësishme që të flitet edhe për krijimin në prag të Pashkëve? Nuk mund të niset me ngjarjet kur Zoti thërret njeriun, krijohet një popull dhe krijon historinë tij me njerëzit në tokë? Përgjigjja duhet të jetë: Jo! Të mos flasësh për krijimin, do të thotë të keqkuptosh vetë historinë e Zotit me njerëzit. Do të thotë ta minimizosh atë”, ka thënë Papa. Celebrimi i Pashkëve, që shënon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit, vazhdon ditën e dielë me fjalimin e Papës “Urbi et Orbi” në sheshin e Shën Pjetrit.
Pashkët, festime në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Korcë
Besimtarët e krishterë në të gjithë vendin kanë kremtuar mbrëmë në mesnatë Ringjalljen e Krishtit. Festa e Pashkës është ndër më të rëndësishmet e kalendarit fetar të krishterëve dhe kremtohet në të gjitha vendet ku ka besimtare katolikë dhe ortodoksë. Në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë mesha e rastit dhe mesazhi i Pashkëve janë lexuar nga kryepiskopi Anastas Janullatos. Ndërsa në katedralen e Shën Palit në Tiranë, liturgjia e pashkëve është drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Pashka, ose Ringjallja e Krishtit vjen pas një jave të shenjtë që kulmon me kryqëzimin e Jezu Krishtit të Premten e Zezë dhe ringjalljen e tij në mesnatën e së shtunës. Të gjithë besimtarët e krishterë kanë marrë mbrëmë në Kisha e Katedrale, zjarr nga zjarri i ndezur pas ringjalljes së Shpëtimtarit që i tregoi botës se mund të triumfojë mbi të keqen për të ndihmuar njerëzimin.
Në Shkodër: Mijëra besimtarë ndjekin meshat e shenjta të Pashkës
Mijëra besimtarët katolikë dhe ortodoksë në Shkodër kanë ndjekur mesnatën duke u gdhirë dita e sotme meshat e shenjta kushtuar Ringjalljes së Jezu Krishtit. Të gjitha kishat e qytetit janë tejmbushur me besimtarë dhe qytetarë. Dyndja më e madhe ka qenë në kishat katolike të Shkodrës, kur dihet se besimi katolik dominon në këtë zonë në veriperëndim të vendit. Në katedralen kryesore të qytetit “Shën Shtjefni”, e njohur ndryshe si Kisha e Madhe, mesha u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolitan i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Masafra. Mesha nisi në mjediset e katedrales me zjarrin e ndezur, simbol i ditës së Ringjalljes së Krishtit. Ajo vijoi përmbi një orë dhe gjatë gjithë kohës u shoqërua nga kori i katedrales. Në fjalën e mbajtur gjatë meshës së shenjtë, Arqipeshkvi Metropolitan Angjelo Masafra, ka folur mbi rëndësinë e festës së Pashkës, duke u ndalur tek akti i shenjtë i Ringjalljes së Krishtit, i cili i solli të mirat njerëzimit duke qënë gjithmonë në shërbim të tij. Urimet “Gëzuar Pashkët! Krishti u ngjall, Aleluja!”, Mon Sinjor Masafra, i përcolli për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë. Ndërsa, besimtarë ortodoksë morrën pjesë në meshën e organizuar në katedralen e kishës ortodokse, që u drejtua nga famullitari At Nikolla Petani. Festa e Pashkës simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkës kur ringjallet. Sipas besimit të krishterë Jezusi erdhi në tokë për të dhënë modelin e tij për njerëzimin dhe për të dëshmuar se pas vdekjes së trupit, shpirti jeton në atë që njihet si jeta e përtejme, por për ta fituar atë duhet që cdo kush të udhëhiqet në jetë nga disa parime biblike dhe virtyte.
Elbasan: Pashkët vijnë me mesazhe për më shumë paqe, shpresë dhe dashuri vëllazërore
Qindra besimtarë të krishterë në Elbasan, ortodoksë dhe katolikë, kremtuan natën duke u gdhirë e diela ringjalljen e birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, duke marrë pjesë në meshat e mbajtura ne kisha të ndryshme të qytetit. Në kishën “Shën Maria” në lagjen Kala, famulltari At Nikolla Marku mbajti meshën e rastin, ku përcolli mesazhe për më shumë paqe, shpresë dhe dashuri vëllazërore për besimtarët, të cilët një zëri janë lutur “mirësia, dashuria dhe toleranca duhet të mbizotërojë në tokë”. Mesha janë mbajtur dhe në kisha të tjera të qytetit të Elbasanit ku qytetarë të shumtë ndezën qiriun e Pashkës në këtë natë të shenjtë të ringjalljes së Krishtit. Festa vazhdon dhe ditën e sotme deri në mesditë ku sipas traditës, besimtarët kryejnë vizita për të uruar njëri- tjetrin dhe për të këmbyer vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë. Pashka simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit, ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq, në të Dielën e Pashkës kur ringjallet.
...