E Diel, 1 Nëntor 2026

Alfred Moisiu lëshon për mediat ruse, deklarata sipas listës “Mitrokhin” të KGB-së

Për agjencinë e lajmeve “Rusia Today”, ish-kryetari i Shoqatës shqiptare të NATO-s ka folur si një mbrojtës i paepur i Traktatit të Varshavës, duke deklaruar pa ekuivoke, se me prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, “Shqipëria i ka një borxh Rusisë” dhe se “data e çlirimit të Shqipërisë është 29 nëntori”

Ish-presidenti Alfred Moisiu, por në këndvështrimin e sotshëm të shkrimit, edhe ish-kryetari i Shoqatës shqiptare të Atlantikut të Veriut (NATO), është shfaqur në një intervistë të fundit dhënë për agjencinë informative ruse “Rusia Today”, si një përfaqësues fanatik i Traktatit të Varshavës. Gjatë një interviste të dhënë, në kuadër të një vizite të fundit, që ish-presidenti ka kryer në Rusi (sipas një fraze të një publicisti të njohur, edhe tek “dashuria e tij e parë, që s’e harron dot”), vëmendja kryesore e Alfred Moisiut ka qenë e përqendruar tek ruajtja e qendrimeve të shpallura publikisht e të mbrojtura nga të gjithë rreshtorët e listës “Mitrokhin” në Perëndim. është fort i njohur skandali i shpërthyer në Itali e gjetkë pas viteve ’90, lidhur me aktivitetin e agjentëve të KGB-së në këto vende. Mjaft emra politikanësh, kryesisht anëtarë të fraksioneve politike komuniste u demaskuan se kishin qenë në shërbim të KGB-së, në listën që më vonë për opinionin publik u dekodua si “Lista Mitrokhin”, në bazë të dokumenteve arkivore, që një ish-shef i arkivës së KGB-së, ofroi për shërbimin sekret britanik, të dhëna të cilat në vitin 1999 shkaktuan një tërmet politik në disa vende të Evropës Perëndimore.
I vendosur të mbrojë frontin e interesave të botës filosllave, ish-presidenti shqiptar si dhe ish-kryetari i Shoqatës Shqiptare të NATO-s s’ka munguar të marrë anën e “Nënës Rusi” dhe të deklarojë se në prishjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik si dhe në historinë e vështirë që shoqëroi më pas marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe rusëve, “Shqipëria i ka një borxh Rusisë”. S’po futemi në arsyet që e shtyjnë ish-presidentin të mbërrijë në një qendrim të tillë, pasi ato janë po aq irreale, sa edhe deklarimi i papërgjegjshëm se diktatori Mehmet Shehu ka qenë “kryeministri më i aftë që kanë pasur shqiptarët”. Vetë deklarimi flet vetë, por po t’i shtojmë asaj, edhe përfshirjen e politikanit në pension edhe në çështje me sensibilitet të aktualitetit, atëhere s’është e vështirë të spikasë rreshtimi i Alfred Moisiut në mbrojtje të pozicioneve strategjike të Rusisë në Mesdhe. “Data e çlirimit të Shqipërisë është 29 nëntori” deklaron prerë ish-presidenti në intervistën dhënë “Rusia Today”, duke treguar se interesi kryesor i tij është që të mos preken ikonat e fabrikuara të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave apo shqiptaro-ruse dhe që të mos nxirren shqiptarët nga hrta e ndikimit rus.
është e drejta e ish-presidentit të mbetet peng i “dashurisë së parë” për Rusët e po ashtu edhe të mbrojë me forcë pozicionet që zakonisht mbrojnë agjentët e Listës “Mitrokhin”, por, megjithë moshën e shtyrë që ka, ai s’duhet ta ketë të vështirë të kujtojë se prej më shumë se një viti, Shqipëria është anëtare e “NATO”-s, aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe së shpejti edhe anëtare e BE, e familjes evropiane, prej së cilës e shkëputi veç ndikimi i mitrokhin-istëve nga Beogradi a Moska.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›