E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa e propozimeve, e vetmja mundësi konsensusi dhe alternative

Partia Demokratike konfirmon edhe njëherë qëndrimin e saj për zgjidhjen e ngërçit politik

Mazhoranca rikonfirmon se paketa me 4 zgjidhjet që i është propozuar opozitës për të dalë nga kriza, është e vetmja ofertë që PD mund të bëje edhe në tryezën e presidentit. Vënia në punë e Komisionit hetimor parlamentar, 100 prokurorët që do hetojnë zgjedhjet, letër e bardhë për amendimin e kodit zgjedhor si dhe Gjykata Kushtetuese, janë ofertat e vetme ligjore mbi të cilat PD mund të tolerojë.
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, tha se përtej kësaj pakete nuk ka asnjë mundësi tjetër jashtë kushtetutës.
“E duke qenë që është një fenomen ligjor, edhe zgjidhja do të jetë dhe mund të jetë vetëm ligjore. Këto janë të vetmet alternativa, nuk ka te tjera mundësi jashtë Kushtetutës. Sigurisht që këto do të jenë oferta, mund të jenë oferta politike ti jepen Edi Rames nëse ai do pranojë të ulet në tryezën e dialogut, seriozisht ama”, deklaroi Alibeaj.
Për deputetin Alibeaj, këto janë kushtet që një tryeze e dytë e presidentit të ketë rezultat. “Zgjidhjet janë ofruar, nuk është çështja për të gjetur një zgjidhje, po për të bindur PS, për të bindur opozitën, për të bindur minorancën të eksplorojë atë zgjidhje që i është ofruar dhe jo për të krijuar episodin e radhës së dramës së tyre politike. Ata shkojnë në tryezën politike, ofrojnë zgjidhjen e tyre por të mbrapshtit nuk pranojnë. Jo, nuk është kjo”- thekson më tej deputeti demokrat.
Deputeti i mazhorancës e komenton me tone kritike rikthimin e bojkotit parlamentar dhe formën e protestës së zgjedhur prej PS-së.
“Do të ishte siç unë kam bindjen një vetëvrasje e vërtetë politike për të gjithë karrierat politike të përfaqësuesve të opozitës, brenda dhe jashtë Parlamentit. Ajo çfarë është groteske dhe absurde në gjithë këtë lëvizje, kërkojnë transparencën e procesit zgjedhor me një mjet ekstrem. Ky mjet nuk të çon në një qëllim të caktuar, ky qenka vetë qëllimi. Pra, krijimi i një klime tensioni, të acaruar, i një radikalizmi”, deklaroi më tej, deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›