E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët bojkotojnë protestën antievropiane të Ramës, Ruçit e Kokëdhimës

S’funksionon parimi “shtyje ta shtyjmë” për protestat pa kokë e pa bisht që po organizon Edvini. I çorientuar, ai s’di të thotë se kur do ta përfundojë pengmarrjen e 200 vetave në Bulevardin kryesor të kryeqyteti, por flet përçart për mosbindje civile dhe bllokim institucionesh

Oratorët nga çadra e grevës shfaqen si të kthyer nga gostia

është mëse e qartë tashmë se protestat e Edi Ramës nuk kanë asnjë fije serioziteti, madje dhe greva e urisë ku ka ngujuar deputetët dhe simpatizantët e partisë, po konsiderohet si demagogji tallëse.
Kryesocialisti në dëshpërim dhe nefregizëm, paralajmëroi dje për një protestë më 14 maj, duke nënkuptuar se këto të organizuarat deri më tani janë të dështuara dhe destinimi i vetëm për më tej, mbetet pengmarrja e grevistëve në çadrat e bulevardit, përmes shprehjes “shtyje t’i shtyjmë protestat, se rrugë tjetër s’ka”.
Edi Rama mblodhi dje paradite disa mbështetës në protestën e rëndomtë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por as këtë radhë edhe pse e shumë trumbetuar si dita e triumfit, nisur edhe nga koherenca historike, nuk arriti dot të bindë socialistët, për vazhdimin e rebelimit antishtetëror. Edhe pse u tentua manipulimi i socialistëve përmes prezantimit të një imazhi publik në grevën e urisë, të këngëtares Elsa Lila, përsëri Edi Rama u detyrua ta shtyje protestën për një tjetër datë. 14 maji sipas Edi Ramës, do jetë triumfi i socialistëve kundër pushtetit të Berishës. Por, kjo është veç për makijazh sepse data e pretenduar, pra 14 maji nuk është as më shumë e as më pak se 30 prilli apo 9 maji që sapo kaloi.
Shtyrja e datave të protestave, s’mund ta shpëtojë Edi Ramën nga skarciteti politik, përsa kohë s’ka as mbështetje dhe as tagër të nevojshëm për të qenë lidership politik, veç terrenit të shtruar nga brezi i parë i nomeklaturës komuniste si Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi apo edhe pinjollët e bllokut të familjes Bushati, Gjoni, Shamku. Mbajtja peng e grevistëve, deri në një datë të papërcaktuar, e ka kthyer opozitën në një ngrehinë me instrumente të paprecedenta, ç’ka si funksion më të mundshëm kanë destabilizimin politik dhe sorollatjen pafund të mbështetësve.
Greva e urisë - Sakrifica që paguhet shtrenjtë, por grevistët rrezikojnë pengmarrjen/Në një kohë kur Edi Rama ulëret rrugëve të Shqipërisë për krizë ekonomike dhe mungesë të investimeve si pasojë, sipas tij, të rënies së financave, një realitet i çuditshëm ndeshet në çadrat e ‘burgut’ në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku sakrifica paguhet shtrenjtë... Paguhet shtrenjtë sepse Edi Rama ka vendosur të shpenzojë shuma marramendëse lekësh, për të mbajtur gjallë grevën dhe protestën e opozitës për transparencë elektorale. Por, këto lekë që po hidhen pa limit dhe pa sensin e kursimit, nuk janë mirëfillti shpagimi për sakrificën, pasi herët a vonë, mbajtja peng e grevistëve dhe protestuesve socialistë do ketë efekte edhe më thella, me disbalancimin e vlerës monetare nga dita në ditë, duke sjellë kështu mbajtjen me dhunë në çadrat e burgut në bulevard, sigurisht kundrejt dëshirës së tyre dhe pa i paguar.
Oratorët e Edvinit - Intonacioni i zërit që tradhton të ashtuquajturën grevë urie/Deputetët grevistë të Edi Ramës, janë në qendër të vëmendjes sa herë që dalin nga strofkulla e burgut dhe marrin mikrofonin në dorë, për të përcjellë edhe ata pjesën e tyre të fjalimit. Ajo që bie në sy, është potenca dhe prirja e tyre e pandryshuar oratorike dhe timbri i zërit, i njëjtë me atë ta para hyrjes në grevë urie. Përvoja e gjithsecilit flet se qenies njerëzore edhe kur i kalojnë pak orë nga orari i zakonshëm i ngrënies së ushqimit shenjat e para janë këputje trupore, humbje të ndjeshmërisë, ikje të zërit dhe çoroditje të timbrit të zërit. Të gjitha këto nuk kanë lidhje me deputetët grevistë të Ramës, të cilët në çdo dalje për mediat janë në të njëjtën formë si me qenë në sallën e parlamentit, pra pa ndryshimin më të vetëm...Kësisoj, gjëja e parë që të vjen në mendje është se ata nuk vuajnë nga mungesa e ushqimit pas kjo është e siguruar nga restoranti i Fidel Yllit, deputetit të Partisë Socialiste, një ndër milionerët e grupit parlamentar socialist që ka mundur të blejë jo vetëm votat në qarkun e Beratit, por po paguan edhe disa nga grevistët e të njëjtit qark, sipas porosive dhen racionit të përcaktuar nga Edi Rama.
E gjithë kjo, nuk është gjë tjetër, veçse një tymjanë për të sajuar konflikt dhe nëpërmjet kësaj të detyrojnë mazhorancën në ulet në tavolinë dhe të dorëzojë pushtetin e fituar më 28 korrik 2009-ë. Falangat neokomuniste, janë tashmë më aktive se kurrë për të rrënuar vendin dhe kthimin mbrapsht të çdo tendence të qeverisë për afrimin me perëndimin dhe Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›