E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Ahmeti kërkon ndihmë ndërkombëtare

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka dërguar letra 35 personaliteteve të njohura ndërkombëtare që kanë kontribuar në Maqedoni dhe në rajon pas vitit 2001, me kërkesën për ndërhyrjen e tyre në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë.

“Për të arritur këtë, do ta vlerësoja shumë kontributin tuaj të çmuar në sjelljen e kësaj çështje në vëmendjen urgjente të komunitetit ndërkombëtar, uljen e të dy palëve (Maqedonisë dhe Greqisë) në mënyrë që të fillojë dialogu i nivelit të lartë sa më parë, si dhe arritjen e kompromisit përfundimtar mbi kontestin rreth emrit”, ka shkruar ai.

Ahmeti i adresoi letrën ish sekretarëve të përgjithshëm të NATO-së, George Robertson, Jaap de Hop Scheffer dhe Javier Solana, ish ndërmjetësve në arritjen e marrëveshjes së Ohrit, Peiter Faith, James Pardew dhe François Leautar, ish ndërmjetësve për çështjen e statusit të Kosovës, Martti Ahtisaari, Albert Rohan e Frank Wizner, si dhe shumë personaliteteve tjera të huaja.

Duke vlerësuar kontributin e tyre të madh për arritjen e paqes, stabilitetit dhe të marrëdhënieve stabile ndëretnike, Ahmeti në letër ka shkruar se “këto arritje mund të rrezikohen nga kontesti i pazgjidhur i emrit të Maqedonisë me fqinjin jugor Greqinë, kontest ky që po e mban Maqedoninë larg kurorëzimit të të gjitha investimeve me qëllimin përfundimtar anëtarësimin në NATO dhe BE”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›