Irani mund të bëhet shteti i 102-të që e njeh Kosovën

Njohja nga shteti i Iranit është gati dhe e tëra që duhet bërë është që një delegacion kosovar të shkojë në Teheran dhe të marrë notën verbale. Të paktën kështu pretendon Avni Dervishi, ish-këshilltar i zëvendëskryeministrit Pacolli, i cili para pak kohësh ka qëndruar në Iran, njofton KTV-ja.
Dervishi, me pasaportë suedeze, për tri ditë qëndrimi ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë edhe të Ministrisë së Jashtme të Iranit. Gjithashtu Dervishi thotë të ketë pasur takime edhe me përfaqësues të Këshillit Mbikëqyrës, një organ mjaft me ndikim në Republikën Islamike të Iranit, të cilët kanë premtuar njohjen.
Ai thotë të ketë informuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për zhvillimet pas vizitës së tij në Iran.
Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka mundur të japë një përgjigje të prerë lidhur me këtë. Përgjigja me shkrim e zëdhënësit të MPJ-së, Artan Behrami, ka qenë se nuk komentojnë postimet në Facebook të individëve, ndërsa kanë komunikim institucional me të gjitha shtetet e botës./Indeksonline/