E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Asllani, “Nder i Kombit” pas vdekjes

Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në ambientet e Presidencës, ku ishin të pranishëm familjarë, shkrimtarë, personalitete të artit dhe kulturës, Presidenti u dorëzoi familjarëve të z. Ali Asllani urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës, me motivacionin: “Veprimtarit të shquar të Lëvizjes Kombëtare për krijimin dhe ndërtimin e shtetit shqiptar, diplomatit patriot dhe poetit lirik që hyri në letërsinë shqipe si një ndër krijuesit e rrallë të poezisë”.

Dekoratën e mori djali i Ali Asllanit, Adriani, i cili u shpreh: “Ndihem shumë i emocionuar. Falënderoj Presidentin e Republikës për këtë nder që na bëhet, për këtë vlerësim që besoj se u takon të gjithëve ju, gjithë kombit shqiptar, sigurisht edhe familjes! Për mua, edhe për të gjithë ne, sot është një ditë shumë e veçantë me vlerësimin e figurës së Ali Asllanit, megjithëse pas vdekjes, sepse ai gjithmonë kishte pritur për të marrë një vlerësim gjatë jetës”.

Kreu i Shtetit, nga ana e tij theksoi: “Është kënaqësia ime e veçantë që nderoj një figurë kaq të respektuar. Prania e kaq njerëzve këtu, e njerëzve të nderuar, përkushtimi i tyre për të realizuar një procedurë dhe për ta ndjekur atë deri në momentin e finalizimit, është dëshmi e një vlerësimi që i bëhet kësaj figure që sot është ‘Nderi i Kombit’ në distancë kohore. Kjo figurë poliedrike, e cila na jep mundësinë që jo vetëm të krenohemi, por edhe të na motivojë për ta studiuar në të gjitha planet e veprimtarisë së tij, patjetër që është një kënaqësi e veçantë për cilindo, për një qytetar të thjeshtë, për një profesionist në një fushë të caktuar, për një shkrimtar, për një politikan dhe për një President. Kështu që sot, më lejoni që ta ndaj këtë vlerësim dhe këtë kënaqësi me njerëzit e familjes, me ata që e propozuan, me ata që e mbështetën. Dhe padyshim, Ali Asllani do të mbetet në jetë të jetëve një figurë e ndritur e kombit shqiptar!”.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-11-15 15:22
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›