E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançesteri, klubi më i vlefshëm në botë

Studimi i radhës i gazetës amerikane "Forbes" ka shpallur dje listën e klubeve me vlerën më të lartë të shitjes, duke lënë për të dytin vit radhazi në vendin e parë skuadrën e Mançester Junajtid. Kampionët në fuqi të Anglisë kushtojnë 1.8 miliardë dollarë, një vlerësim që është rritur me 24% (347 milionë dollarë) në krahasim me atë të vitit të kaluar. Duke marrë në konsideratë të ardhurat nga ndeshjet, përfitimet dhe nivelet e borxheve, Reali i Madridit ka mbetur i shkëputur në vendin e dytë, me vlerën 1.285 miliardë dollarë, i ndjekur nga Arsenali me 1.2 miliardë dollarë.

Mançester Junajtid ishte mes 4 skuadrave angleze, që gjenden në listën e 10 klubeve me vlerën më të lartë. Liverpuli ishte skuadra që pati ngjitjen më të madhe në listë, në krahasim me vitin e kaluar, duke lëvizur nga vendi i 11-të, për të shkuar në vendin e katërt, pavarësisht problemeve të fundit të këtij klubi dhe betejës që ka shpërthyer mes dy bashkëpronarëve amerikanë, Xhorxh Xhilet dhe Tom Hiks. Bajerni i Mynihut u rendit si ekipi i pestë, i ndjekur nga Milani, Barcelona, Çelsi dhe Shalke. Mançester Junajtid luan me Çelsin në finalen e Ligës së Kampioneve, më 21 maj në Moskë dhe mendohet që kjo gjë të shtojë përsëri të ardhurat e klubit. "Arritja në finalen e Ligës së Kampioneve do të thotë përfitime për rreth 45 milionë dollarë për Mançester Junajtid dhe thuajse e bën të sigurt qëndrimin në vendin e parë të listës edhe për vitin e ardhshëm", u shpreh kryeredaktori i revistës "Forbes", Xhek Geixh. "Fitorja në finale nuk është se do të sillte përfitime të mëdha të menjëhershme për skuadrën, por do të ndihmonte në publicitetin e emrit të saj, ndërsa Mançester Junajtid dihet që po përpiqet të fitojë tifozë në Evropë dhe Azi". Sipas revistës në fjalë, vlerësimi kaq i lartë i Mançester Junajtid vjen nga fakti se drejtuesit e klubit kanë vendosur zgjerimin e stadiumit "Old Traford" në një kapacitet prej 75 mijë vendesh, duke rritur edhe çmimet e biletave. "Klubi ka regjistruar një borxh të madh, si pjesë e marrëveshjes së blerjes nga Gleizer. Kjo do të thotë se klubi nuk do të përfitojë nga këto të ardhura deri në shlyerjen e tij të plotë. Zakonisht, borxhet e bëjnë më të vështirë shitjen e një skuadre evropiane, por fakti që Mançester Junajtid është skuadra që prodhon më shumë të ardhura në botë, e vë në plan të dytë borxhin që ajo ka".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›