Alia ishte aty

“Masakra e Tivarit dhe Përgjegjësia e Shtetit Shqiptar”, titullohet libri i historianit Uran Butka, që u mbështet financiarisht nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.
Libri synon t’i japë përgjigje kësaj ngjarjeje. Sepse, ndonëse kaluan aq shumë vite, ende nuk dihet as numri i saktë i shqiptarëve që humbën jetën në këtë masakër. Megjithatë, në bazë të përllogaritjeve që mbështeten në dokumentet e bëra publike, numri i atyre që u zunë në pusinë e Tivarit - përfshirë këtu të pushkatuarit dhe të vdekurit gjatë rrugës – është diku mes 2,947-3,447.
Ndryshe, në faqet librit dhe përmes dokumenteve, Butka hedh dritë mbi rolin që pati edhe Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë në rekrutimin e burrave të Kosovës, si dhe në propagandën që bëri ajo për t’i bindur, e pastaj edhe në çarmatosjen dhe dërgimin e tyre drejt kasaphanës, sipas planit që jugosllavët kishin për eliminimin e tyre.
Butka na sjell dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i shtetit shqiptar, por edhe më gjerë. Sipas këtyre dokumenteve, asokohe në Kosovë vepronin dy divizione shqiptare, të cilat morën pjesë në këtë aksion, por edhe në shtypjen e revoltave të “reaksionarëve” kosovarë kundër ushtrisë jugosllave. Këto divizione drejtoheshin nga Ramiz Alia e Rahman Parllaku. Pra, këto dokumente përgënjeshtrojnë thëniet e Alisë, se ai asokohe ndodhej në Bosnje e Hercegovinë. Një lexim sipërfaqësor i vetëm disa pasazheve nga libri, vërteton pikërisht praninë e Alisë në Kosovë, në pranverë të viti 1945.
Pjesë libri
Sipas gjithë dokumentacionit që disponojmë, ky mobilizim dhe kjo degdisje e rekrutëve shqiptarë nga Kosova kishte për qëllim largimin e meshkujve të aftë për luftë dhe eliminimin e tyre fizik, dobësimin e rezistencës shqiptare, ripushtimin e Kosovës dhe pamundësinë e të drejtës për vetëvendosje e shkëputje, premtuar nga PKJ e Titos gjatë luftës.
Sekretari i Komitetit Krahinor për Serbi, Blagoje Neskovic, duke analizuar gjendjen në Kosovë, theksonte: “Ju, në Kosovë e në Rrafshin e Dukagjinit, nuk keni njeri që s’ka pushkë, dhe këta njerëz në çdo rast mund të çohen në kryengritje… Populli nuk është me ne. Po e shohim se shqiptarët në numrin më të madh janë kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare”.
Të njëjtën gjë e konstatonte dhe Azem Hajdini
.
Natyrisht, mobilizimi i rekrutëve të rinj për në Frontin e Adriatikut nuk do të ishte arritur nga ana e autoriteteve ushtarake, po të mos përdorej, veç dhunës, edhe propaganda, edhe mashtrimi. Pas humbjeve tragjike me Brigadën VII kosovare, shqiptarët nuk mund të gënjeheshin për së dyti se do të mobilizoheshin për të luftuar në front kundër gjermanëve. U përdor një taktikë tjetër, që gjithsesi zuri vend dhe u besua: “Të mobilizuarit do të shkojnë në Shqipëri, se i ka thirr Enver Hoxha”.
***
Po t’i këqyrësh listat e rekrutëve të dorëzuar shqiptarë nga komanda e Divizionit V tek komanda jugosllave, rezulton se shumica e tyre ishin nga Mitrovica, Skenderaj, Vuçitërna, Podujeva, Peja, Gjilani, Ferizaj, etj., rajone këto të okupuara nga divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Në raportin e gjatë që komisari politik, Ramiz Alia, i dërgonte nga Mitrovica, më 20 mars 1945, Komitetit Qendror të PKSH, ndër të tjera lexojmë:
“Ndër partizanët tanë vazhdon të punohet mjaft për vëllazërimin mes popullit shqiptar dhe jugosllav, për Ushtrinë jugosllave… Nji randsi e madhe u asht dhanë në këto kohë sidomos grupeve teatrale dhe koreve. Në çdo brigadë asht krijue nga nji grup teatral e koral, i cili jep vazhdimisht shfaqje teatrale për forcat tona ose për popullin.
Grupin teatral jemi duke e përdorur mjaft, sidomos këndej në Kosovë për shfaqje popullit, kështu tue e përdor si një mjet për agjitacion. Janë dhënë disa shfaqje teatrale për popullin e disa qyteteve këtej, ndër të cilat shfaqje asht paraqitun gjithnji mënyra se qysh po vëllazërohen dy popujt, shqiptar e jugosllav. Rezultatet kanë qenë mjaft të mira…
Divizioni ynë nuk ka pasur kohët e fundit asnjë veprim ushtarak, por ma tepër asht kufizue me nji punë të gjanë ushtarake me anë konferencash dhe manovrash të ndryshme… Tani, pranë shtabit të divizionit na ka ardhur një shok i dërguar nga Komanda e Përgjithshme Jugosllave, i cili po na udhëzon mbi mënyrat e organizimit të ushtrisë… Divizioni ynë asht mjaft i zhveshun, kaq sa të gjithë oficerët pa përjashtim janë me opinga lope. Po shpresojmë se do të na vijë diçka nga ana e shtabit jugosllav… Siç e dini, kemi pasur deri afër 500 të sëmurë nga tifoja e morrit… Nga fundi i muajit shkurt kemi pasur të vdekur nga tifoja dy anëtarë partie nga Brigada V, të cilët janë Hysni Muka, Gani Arifi dhe Mushak Kavnja, komisar i komp. të Brig. XXV…”. (AQSH, Fondi 14/AP v. 1945). (Me shkurtime, nga Panorama)